Pesë persona të armatosur me AK-47 dyshohet se ishin pjesë e grabitjes -detaje nga rasti i djeshëm në Veternik

Po dalin detaje të reja nga grabitja e armatosur që ndodhi dje në afërsi të Qendrës Tregtare “Albi Mall”. Disa grabitës të armatosur dhe të organizuar ia mësynë sulmit ndaj punëtorëve të një kompanie për bartjen e parave. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, një pjesëtar i sigurimit mbeti i plagosur. Përveç tij, plagë pësoi edhe njëri…

Lajme

18/03/2025 08:32

Po dalin detaje të reja nga grabitja e armatosur që ndodhi dje në afërsi të Qendrës Tregtare “Albi Mall”. Disa grabitës të armatosur dhe të organizuar ia mësynë sulmit ndaj punëtorëve të një kompanie për bartjen e parave.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit, një pjesëtar i sigurimit mbeti i plagosur. Përveç tij, plagë pësoi edhe njëri nga grabitësit, i cili u zbulua dhe tashmë po ruhet nga Policia.

Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda ka nisur hetimin në koordinim me Prokurorin e Shtetit për të identifikuar dhe kapur anëtarët e grupit kriminal, si dhe për të zbardhur në plotësi rastin.

Sinjali ka mësuar se bazuar në informacionet e para pas mbledhjes së provave nga ana e Policisë, rezulton se pesë persona kanë qenë pjesë e këtij grupi.

Të dyshuarit, të pajisur me armë të gjata të tipit AK-47 dhe me një automjet “Fiat pickup”, ngjyrë të bardhë, me targa gjermane, ia mësynë lokacionit ku ndodhej furgoni i kompanisë, rreth orës 10:30 të së hënës.

Plani i grabitësve dështoi pasi nuk arritën ta kryejnë ‘punën’ dhe aty nisi shkëmbimi me armë zjarri, ku për pasojë punëtori i kompanisë që bartte para, Fahri Ademi mbeti i plagosur.

Siç u raportua dje, gjatë përleshjes, u plagos edhe njëri nga të dyshuarit, Milos Vukojevic, i cili aktualisht po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Ai fillimisht kërkoi ndihmë mjekësore në Graçanicë pasi u arratis, por nuk shpëtoi nga Policia e Kosovës.

Me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Vukojevic është ndaluar për 48 orë.

Pas sulmit, autorët e tjerë u larguan nga vendi i ngjarjes dhe më vonë, vetura e tyre u gjet e djegur në fshatin Hajvali.

Policia dhe Prokuroria njoftuan se po vazhdojnë hetimet intensive për zbardhjen e incidentit dhe kapjen e të gjithë personave të përfshirë.