Grabitja e parave dhe plagosja e dy personave në Veternik, Prokuroria njofton se është ndaluar një person

Një rast i rëndë ka ndodhur sot në Veternik në Prishtinë, ku si për pasojë dy persona kanë mbetur të plagosur. Një punëtor i sigurimit derisa po merrte paratë nga bankomatet e vendosura tek qendra tregtare “Albi Mall”, është bërë cak i një grabitje me armë, ku për pasojë edhe është plagosur, dhe po trajtohet…

Lajme

17/03/2025 18:55

Një rast i rëndë ka ndodhur sot në Veternik në Prishtinë, ku si për pasojë dy persona kanë mbetur të plagosur.

Një punëtor i sigurimit derisa po merrte paratë nga bankomatet e vendosura tek qendra tregtare “Albi Mall”, është bërë cak i një grabitje me armë, ku për pasojë edhe është plagosur, dhe po trajtohet në QKUK.

I plagosur ka mbetur edhe njëri nga grabitësit, i cili gjithashtu po trajtohet në QKUK, shkruan lajmi.net.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se në bashkëpunim me hetuesit policor kanë ndaluar një person.

Personi i ndaluar, sipas Prokurorisë dyshohet se ka kryer veprat penale “Grabitja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria po vazhdon ndjekjen e personave që ndodhen në arrati.

Komunikata e plotë e Prokurorisë Themelore në Prishtinë:

Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik, se Prokurori kujdestar është informuar nga Njësiti Policor se në lagjen Veternik të Prishtinës ka ndodhur rasti i ‘’Grabitjes’’ në oborrin e një qendre tregtare ‘’Albi Mall’’. Ndërkohë hetuesit policor në bashkëpunim me Prokurorin e shtetit kanë ndaluar një (1) person për vepër penale ‘’Grabitja’’ nga neni 317 dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe Prokuroria Themelore vazhdon ndjekjen e personave të cilët ndodhen në arrati.

Tani për momentin nuk mund të jepen të dhëna të detajuara lidhur me këtë rast, mirëpo Prokurori i shtetit është i përkushtuar që në koordinim dhe bashkëpunim me organet e rendit të zbardh cështjen në tërësi. /Lajmi.net/