​7 ditë zie në Maqedoninë e Veriut, inspektim në të gjitha objektet e hotelerisë

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme të jashtëzakonshme mori vendim për shpalljen e 7 ditë zie për të nderuar 59 viktimat e tragjedisë nga zjarri në një diskotekë në Koçani. Gjithashtu, Qeveria mori vendim që detyron Inspektoratin Shtetëror të Tregut të kryejë kontroll të jashtëzakonshëm në objektet e hotelerisë si klube nate,…

Lajme

16/03/2025 18:09

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme të jashtëzakonshme mori vendim për shpalljen e 7 ditë zie për të nderuar 59 viktimat e tragjedisë nga zjarri në një diskotekë në Koçani.

Gjithashtu, Qeveria mori vendim që detyron Inspektoratin Shtetëror të Tregut të kryejë kontroll të jashtëzakonshëm në objektet e hotelerisë si klube nate, diskoteka dhe diskoteka të hapura në territorin e Maqedonisë së Veriut dhe të njoftojë menjëherë Qeverinë për konstatimet e inspektimit në tri ditët e ardhshme, për të përcaktuar nëse ato janë në përputhje me kushtet.

“Të gjithë duhet t’i binden vendimit, pasi dënimet për mosrespektim do të jenë të rënda. Në këto ditë Ministria e Jashtme do të hapë një libër zie brenda ministrisë për aksidentin e madh të ndodhur”, thuhet në njoftim.

Qeveria mori vendim edhe për aktivizimin e mekanizmit për kërkimin e ndihmës ndërkombëtare, raporton Alsat.

Kujtojmë, mbi 20 persona janë të dyshuar, ndërsa 15 prej tyre janë arrestuar në lidhje me zjarrin, ku humbën jetën 59 persona dhe 155 të tjerë u lënduan.

Në mesin e të arrestuarve ka organizatorë të ngjarjes në klubin e natës, pjesëtarë të obliguar për sigurimin e ahengut, por edhe përfaqësues institucionesh si ish- sekretarja e Ministrisë së Ekonomisë dhe ish-drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme, tha se një pjesë e të dyshuarve për shkaktim të kësaj ngjarje penale kanë ndërruar jetë, dhe se diskoteka e djegur nuk ka pasur licencë pune.