Prokuroria deklarohet për intervistimin e Kryeinspektorit të jashtëligjshëm Hekuran Nikçi-Dyshohet për keqpërdorim të pozitës e të pasurisë

Prokuroria Themelore në Prishtinë është deklaruar në lidhje me intervistimin që iu është bërë sot Kryeinspektorit të jashtëligjshëm të Punës, Hekuran Nikçi. Prokuroria Themelore në Prishtinë bëri të ditur se nga Policia e Kosovës, Njësia për hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit është intervistuar i dyshuari Hekuran Nikçi dhe Naim Shalaku u.d Menaxher i Njësisë…

Lajme

27/02/2025 15:21

Prokuroria Themelore në Prishtinë është deklaruar në lidhje me intervistimin që iu është bërë sot Kryeinspektorit të jashtëligjshëm të Punës, Hekuran Nikçi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë bëri të ditur se nga Policia e Kosovës, Njësia për hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit është intervistuar i dyshuari Hekuran Nikçi dhe Naim Shalaku u.d Menaxher i Njësisë për Menaxhimin e Burimeve  Njerëzore në Inspektoratin Qendror të Punës.

Sipas prokurorisë Nikçi u intervistua nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare, cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës dhe përdorim i paautorizuar i pasurisë, kurse Shalaku nën dyshimin se keqpërdori pozitën zyrtare dhe cënoi të drejtën nga marrëdhënia e punës në vazhdimësi, transmeton lajmi.net.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, e njofton opinionin publik, se sot, me datë 27.02.2025, nga Policia e Kosovës, Sektori për Hetime Financiare – Njësia kundër Pastrimit të Parave në kuadër Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë, janë intervistuar të dyshuarit Hekuran Nikçi, Kryeinspektor i Inspektoratit Qendror të Punës në Republikën e Kosovës dhe Naim Shalaku, U.D Menaxher i Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Inspektoratin Qendror të Punës, të cilët me Urdhër të Prokurorit të Shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda, janë ndalur për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se, i dyshuari Hekuran Nikçi i ka kryer veprat penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-së, Cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës nga neni 218 të KPRK-së dhe Përdorimi i paautorizuar të pasurisë nga neni 420 të KPRK-së, ndërsa i dyshuari Naim Shalaku, për shkak të dyshimit të bazuar se i ka kryer veprat penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-së dhe Cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës në vazhdimësi nga neni 218 lidhur me nenin 77 të KPRK-së”,thuhet në njoftimin për media.

Gjithasthu u tha se Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të paraqesë masën për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë, tek Gjyqtari i Procedurës Paraprake të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda./Lajmi.net/