Mobilizimi i Vuçiqit karshi protestave, Islami: Rezistencë e një diktatori të vetmuar
Angazhimi i serbëve të Kosovës për të qëndruar para Presidencës në Beograd të Serbisë, paraqet rezistencë të një diktatori të vetmuar, presidentit Aleksandër Vuçiq. Kështu thotë njohësi i çështjeve të sigurisë Avni Islami, pas raportimeve të mediave serbe për një mobilizim të tillë në Serbi. Islami ka potencuar se Lista Serbe është vënë në shërbim…

Lajme
Angazhimi i serbëve të Kosovës për të qëndruar para Presidencës në Beograd të Serbisë, paraqet rezistencë të një diktatori të vetmuar, presidentit Aleksandër Vuçiq. Kështu thotë njohësi i çështjeve të sigurisë Avni Islami, pas raportimeve të mediave serbe për një mobilizim të tillë në Serbi.
Islami ka potencuar se Lista Serbe është vënë në shërbim të Vuçiqit, dhe krejt këtë e ka quajtur “anti-mitingu i nacionalizmit primitiv”.
“Sipas raportimit të së përditshmes serbe Danas, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq përmes Listës Serbe paska përgatitur ‘mbrojtjen’ e tij me serbët e Kosovës, si një lloj anti-mitingu, që po mendohet të jetë kundërpërgjigja e tij ndaj protestave masive që pritet të ndodhin në Beograd”, shkruan në llogarinë e tij në Facebook Avni Islami.
Sipas tij, kjo paraqet një nivel tjetër të instrumentalizmit të serbëve të Kosovës.
“Lista Serbe do të organizojë njerëzit të vendosen me çadra përpara ndërtesës së Presidencës në ‘Andriqev venac’. Ky është një nivel tjetër i instrumentalizimit të serbëve të Kosovës, një shpërfaqje e nacionalizmit primitiv, dhe një rezistencë e një diktatori të vetmuar përballë rinisë studentore të vendit të tij. Kjo tregon shumë edhe për misionin e Listës Serbe, që vetëm interesat e serbëve lokalë të Kosovës nuk i mbron”, përfundon ai.