SHBA-ja shpreh shqetësim për mbylljen e Qendrave serbe për punë sociale në veri
Ambasada amerikane në Kosovë është shprehur e shqetësuar për siç ka thënë, mbylljen e papritur edhe të pakoordinuar të Qendrave për punë sociale, të drejtuara nga Serbia në pjesën veriore të Kosovës. Ambasada e Amerikës përmes një postimi në “X” ka shkruar se veprimet e ngjajshme ndikojnë negativisht tek mijëra qytetarë të Kosovës. “Këto dhe…

Lajme
Ambasada amerikane në Kosovë është shprehur e shqetësuar për siç ka thënë, mbylljen e papritur edhe të pakoordinuar të Qendrave për punë sociale, të drejtuara nga Serbia në pjesën veriore të Kosovës.
Ambasada e Amerikës përmes një postimi në “X” ka shkruar se veprimet e ngjajshme ndikojnë negativisht tek mijëra qytetarë të Kosovës.
“Këto dhe veprime të ngjashme ndikojnë negativisht te mijëra qytetarë të Kosovës dhe rrezikojnë krijimin e pasojave të dëmshme për të ardhmen e Kosovës në Evropë dhe për marrëdhëniet tona bilaterale”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Ndryshe, Autoritetet e Kosovës i kanë mbyllur të premten katër objekte të Qendrës për punë sociale – të cilat funksiononin në kuadër të sistemit paralel serb – për shkak të dyshimit se aty janë kryer “veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor”.
Policia e Kosovës ka thënë përmes një deklarate se ka kërkuar leje nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë për t’i kontrolluar objektet e Qendrave për punë sociale pasi katër punonjës të kësaj Qendre në Zubin Potok ishin arrestuar më 8 shkurt për “shkelje të vullnetit të votuesve”.
Sipas komunikatës, këta zyrtarë të “institucioneve paralele dhe ilegale” dyshohet se i kanë telefonuar qytetarët dhe i kanë kërcënuar, apo u kanë treguar se si të votojnë, duke i kushtëzuar me pagesën e ndihmës sociale.
Edhe Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të mos i mbyllë këto struktura dhe që për statusin e tyre të diskutohet në dialogun Kosovë – Serbi, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.
The U.S. Embassy is concerned by the abrupt and uncoordinated closures of Serbia-run welfare offices in Kosovo. These and similar actions negatively impact thousands of Kosovan citizens and risk creating negative consequences for Kosovo’s future in Europe and our bilateral…
— U.S. Embassy Pristina (@USEmbPristina) February 23, 2025