Shënon rënie numri i vetëvrasjeve në Kosovë, flasin psikologët për shkaqet e këtij fenomeni
Vetëvrasja është një nga sfidat më të mëdha shoqërore dhe shëndetësore që prek shumë vende në botë, përfshirë edhe Kosovën. Megjithatë krahasuar vitin 2023 me vitin 2024 ky fenomen ka shënuar rënie në Kosovë. Vetëm gjatë vitit 2024 sipas Policisë së Kosovës janë raportuar 141 raste nga to 123 tentim vetëvrasje dhe 18 vetëvrasje. Ndërsa…

Lajme
Vetëvrasja është një nga sfidat më të mëdha shoqërore dhe shëndetësore që prek shumë vende në botë, përfshirë edhe Kosovën. Megjithatë krahasuar vitin 2023 me vitin 2024 ky fenomen ka shënuar rënie në Kosovë. Vetëm gjatë vitit 2024 sipas Policisë së Kosovës janë raportuar 141 raste nga to 123 tentim vetëvrasje dhe 18 vetëvrasje.
Ndërsa sipas të dhënave nga Policia e Kosovës në vitin 2023, janë raportuar 164 raste, ku 123 nga to ishin tentim vrasje dhe 41 vetëvrasje.
Sipas psikologëve, individi që realizon vetëvrasjen ndikohet nga ndërthurja e shumë faktorëve, duke filluar nga aspekti psikologjik social dhe biologjik. E për këtë fenomen psikologët kanë renditur edhe disa nga shkaqet siç janë humbja e një individi, papunësia, shëndeti mendor përdorimi i substancave narkotike, etj.
Policia e Kosovës ka njoftuar se statistikat e vitit 2024 janë grumbulluar përgjatë vitit deri më datën 12 dhjetor.
“Gjatë vitit 2024, deri më 12 dhjetor janë regjistruar: Suicide 141, në tentativë 123 dhe të kryera 18. Ndërsa përgjatë 2023, suicide 164, në tentativë 123 dhe të kryera 41”, ka thënë Policia e Kosovës në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.
Psikologu nga Shoqata e Psikologëve të Kosovës, Ilir Havolli është shprehur se do të duhej që këtyre individëve t’u krijohet një linjë emergjente për të marrë ndihmën e tyre psikologjike, në raste të caktuara edhe ndërhyrjet emergjente.
“Një nga shkaqet kryesore, që mund të potencohet te vetëvrasja, është depresioni, përkatësisht ndjenja e dëshpërimit e individit, çrregullimet e ankthit, keqpërdorimi apo abuzimi me medikamente dhe substanca. Po ashtu, kemi gjendje situacionale, ku individët mund të kryejnë një akt të tillë si pasojë e dëshpërimit nga humbja e personit të dashur, borxhe të ndryshme financiare, papunësia e tjera. Problemi i faktorëve, apo ndërhyja komunitare, do të duhej që këtyre individëve t’u krijohet një linjë emergjente, çdo herë të kishin mundësi, që të lajmërohen për të marrë ndihmën e tyre psikologjike, në raste të caktuara dhe ndërhyrjet emergjente”, është shprehur Havolli.
Derisa edhe linja telefonike për parandalimin e vetëvrasjeve “Linja e Jetës” ka pranuar gjatë 2024-ës mbi katër mijë thirrje dhe ka zgjeruar orarin e punës e cila ka qenë prej orës 14:00 deri në 2:00 të mesnatës, tashmë nga 10:00 deri në 2:00 në mesnatë dhe ka lansuar chatin, në të cilin mund të shprehen personat me mendime të tilla.
Udhëheqësi i kësaj organizate, Bind Skeja ka thënë se peticioni për parandalimin e vetëvrasjeve që është dërguar në Kuvendin e Kosovës me mbi 10 mijë nënshkrime do të fillojë të hartohet në këtë vit dhe sipas tij do të ndryshojë shumëçka për këtë linjë telefonike.
Skeja, ka kritikuar edhe Policinë e Kosovës pasi që sipas tij nuk po e bën regjistrimin si duhet. Pasi të kaloj ligji për parandalimin e vetëvrasjeve, Skeja ka thënë se do të mund të bëjnë matje statistikore në popullatë në bashkëpunim me obduksionin.
“Kemi hasur shumë më shumë mbështetje se vitet e kaluara, që ka rezultuar që ne me lansu edhe opsionin për chat, për personat që kanë mendime për vetëvrasje. Gjithashtu edhe lansimi i peticionit për parandalim të vetëvrasjes, që ka kaluar me shumë sukses me mbi 10 mijë nënshkrime, që në 2025 do të fillojë të hartohet prej Kuvendit.. Në të ardhmen, pasi të kaloj ligji, po shpresojmë se do të mundemi të bëjmë matje statistikore në popullatë, por për momentin mekanizmat nuk ekzistojnë kështu që ne nuk kemi si të bëjmë një vlerësim të tillë, për shkak se policia nuk po e bën në regjistrim si duhet. Duhet të bëhet në bashkëpunim me obduksionin por nuk po ndodh”, ka thënë Skeja.
Numri në të cilin të gjitha rastet mund të kryejnë telefonata pa pagesë dhe anonim është 0800-12345.