​Kërstiq: Lista Serbe nuk përfaqëson interesat e serbëve të Kosovës

Ka shumë vjet që Lista Serbe nuk përfaqëson interesat e qytetarëve serbë të Kosovës, thotë analisti Branisllav Kërstiq. Ai thekson se kjo parti punon vetëm për interesa vetanake dhe njëkohësisht është instrument i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. “Ne kemi eksperiencë, në 12 vjetët e fundit Lista Serbe ka pasur 10 deputetë në Parlamentin e…

Lajme

13/02/2025 10:30

Ka shumë vjet që Lista Serbe nuk përfaqëson interesat e qytetarëve serbë të Kosovës, thotë analisti Branisllav Kërstiq.

Ai thekson se kjo parti punon vetëm për interesa vetanake dhe njëkohësisht është instrument i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Ne kemi eksperiencë, në 12 vjetët e fundit Lista Serbe ka pasur 10 deputetë në Parlamentin e shtetit të Kosovës, por më duket gjithsej tri herë kanë dalë dhe kanë folur me kolegët e tyre në parlament. Ata me vite nuk mbështesin interesat e komunitetit të tyre. Ata janë një lloj i makiavelistëve që punojnë vetëm për interesat e tyre dhe janë një instrument i regjimit të Aleksandar Vuçiq”, thotë Kërstiq.

Kërstiq thekson se zgjedhjet e 9 shkurtit ishin një befasi, sipas tij, për shkak të pjesëmarrjes së ulët të qytetarëve – më pak se 50 për qind, dhe për këtë thotë se një prej shkaqeve ishte gjuha fyese e përdorur gjatë fushatës.

Në lidhje me problemet e Komisionit Qendror Zgjedhor, ai thotë se ky institucion ka dështuar në këto zgjedhje, sidomos në veri.

Ai kritikon pushtetin për “politizim brenda këtij institucioni”.

“Dita e zgjedhjeve ka qenë befasi për secilin qytetar të shtetit të Kosovës, sepse kemi me vite të tëra dalje më pak se 50 për qind të qytetarëve në zgjedhje. Kurrë nuk e kemi pasur një fushatë me gjuhë aq të ndyrë dhe të pistë dhe kjo është njëra prej arsyeve. Pushteti aktual, dhe më duket se suksesi i tij më i madh është se ka arritur ta ndajë stafin e KQZ-së brenda institucionit, që është alarmante për secilin qytetar. E kemi ndarë në mënyrë politike, ata që nuk janë me ne, janë kundër nesh dhe brenda KQZ-së shihet se nuk ekziston lidhja dhe bashkëpunimi serioz brenda vetë institucionit. Kemi shembullin e veriut të vendit, paramendoni në komunën e Zubin Potokut dy herë brenda ditës, vendvotimet kanë qenë pa fletëvotime, që është e papranueshme. Në Leposaviq kemi pasur disa ankesa për manipulime me material zgjedhor, disa persona janë shoqëruar në polici për të sqaruar çka ka ndodhur atje. Po ashtu ka pasur obstruksion nga ana e Prishtinës, sepse 24 orë kemi pritur rezultatet për Mitrovicën Veriore. Ka dështuar seriozisht në veriun e vendit (KQZ). Kemi organizuar një proces pa përgatitje serioze, kanë dërguar komisionarë në qendra të votimeve me një orë vonesë në Leposaviq”, thotë Kërstiq.

Ai vlerëson se opozita ka përfituar nga këto zgjedhje dhe sipas tij kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje – partisë fituese të zgjedhjeve, Albin Kurti, nuk do të arrijë ta formojë qeverinë, por “do të përpiqet të blejë kohë në mënyrë që vendi të shkojë sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare kah fundi i këtij viti”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka numëruar 99.57 qind për qind të votave nga 2,522 qendra votimi, nga gjithsej 2.533, sipas të cilave vazhdon të prijë Lëvizja Vetëvendosje me 40.83 për qind ose 340 mijë 690 vota.

Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 22.03 për qind ose 184 mijë e 661 vota, Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me 17.61 për qind ose 146 mijë 815 vota.

AAK-NISMA-Konservatorët-Intelektualët-Ideal renditet subjekti i katërt me 7.47 për qind ose 62 mijë e 172 vota.

“Unë besoj se do të kemi një krizë politike shumë serioze. Nuk jam i sigurt se Kurti do ta formojë qeverinë, do të blejë kohë për t’i bashkuar zgjedhjet parlamentare dhe lokale, opozita do të insistojë, sepse opozita së bashku ka përfituar nga këto zgjedhje. Nuk do të kemi trazira serioze, nuk do të kemi situata të incidenteve nëpër rrugë, por do të kemi një qeveri e cila nuk do të jetë stabile”, thotë Kërstiq.

Serbët e Kosovës ishin pjesë e zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, në mesin e subjekteve politike serbe prin Lista Serbe me 4.5 për qind.

Në vendin e dytë renditet “Liria, Drejtësia dhe Mbijetesa” me 0.47 për qind, pasuar nga Partia e Re Demokratike me 0.43, Demokracia Serbe 0.30, Lëvizja Kombëtare Serbe 0.21 dhe Partia e Serbëve të Kosovës me 0.05 për qind.