Deklarohen të pafajshëm dy të akuzuarit për vrasjen e 26-vjeçarit në Prizren

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën në seancën fillestare të akuzuarit Enes Ay dhe Hajrullah Brnçanin, janë deklaruar të pafajshëm lidhur me vrasjen  vrasjen e A.TH. Deklarimin rreth fajësisë të njëjtit e kanë bërë pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurori, Genc Nixha. Të pyetur nga ana e kryetares së trupit gjykues Raima Elezi lidhur…

Lajme

08/01/2025 18:37

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën në seancën fillestare të akuzuarit Enes Ay dhe Hajrullah Brnçanin, janë deklaruar të pafajshëm lidhur me vrasjen  vrasjen e A.TH.

Deklarimin rreth fajësisë të njëjtit e kanë bërë pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurori, Genc Nixha.

Të pyetur nga ana e kryetares së trupit gjykues Raima Elezi lidhur me pranimin e fajësisë, të akuzuarit Ay dhe Brnçanin deklaruan se nuk pranojnë fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Brnçanin, avokati Nazmi Mustafi, kërkoi nga gjykata që të vendosë lidhur me ligjshmërinë e paraburgimit dhe i propozon gjykatës që në këtë seancë të urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të akuzuarit Brnçanin, me arsyen se dihet pesha e veprës që ai ka kryer.

Ndërsa, prokurori Nixha ka kundërshtuar propozimin e avokatit Mustafi, duke thënë se i akuzuari është i dyshuar dhe i akuzuar për 25 vepra penale, të cilat janë evidentohen në raportin e të kaluarës së tij kriminale.

Edhe avokati i palës së dëmtuar, Esat Gutaj, ka kundërshtuar propozimin e avokatit Mustafi, me arsyen se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se Brnçanin mund të jetë bashkëkryerës, ku viktima është sulmuar në automjetin e tij dhe se viktima është qëlluar në lagjen “Bazhda Hane”.

Kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi ka kundërshtuar propozimin e avokatit Mustafi lidhur me ndërprerjen e masës së paraburgimit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të datës 15 nëntor 2024, Enes Ay akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, kurse Hajrullah Brncanin akuzohet për kryerjen e veprave penale “Mosdhënia e ndihmës” dhe “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se më 6 korrik 2024, në Prizren i akuzuari Enes Ay me anë të mjetit të rrezikshëm i shkakton lëndim trupor personit tjetër dhe për pasojë i shkakton vdekjen viktimës A.TH.

Sipas aktakuzës, tani viktima A.TH dhe i akuzuari Ay takohen paraprakisht, ku TH. i kërkon të akuzuarit telefonin me qëllim që të njoftojë shokun e tij,  të akuzuarin Brncanin.

Tutje, në aktakuzë thuhet se pas ardhjes së tij, i akuzuari Ay ulet në ulësen e pasme të automjetit, ndërsa viktima në ulësen e përparme. Pas një konfrontimi verbal mes njëri-tjetrit, ata dalin nga vetura, me c’rast i akuzuari duke përdorur një mjet të mprehtë, e godet viktimën në pjesën e përparme të këmbës së djathtë, duke i shkaktuar plagë therëse. Si pasojë e shokut hemorragjik, viktima ndërron jetë.

Me këto veprime Enes Ay ngarkohet me kryerjen e veprës penale “Lëndim i rëndë trupor” nga neni 186, par.5 lidhur me pas.3, pika 3.2 lidhur me par.2, pika 2.1 të Kodit Penal.

Ndërsa, sipas aktakuzës i pandehuri Brnçanin, më 6 korrik 2024, nuk i ofroi ndihmë personit, jeta e të cilit ishte në rrezik të drejtpërdrejtë, edhe pse kishte mundësi ta bënte pa rrezik të madh për veten, pasi ishte duke e bartur viktimën A.TH në veturën e tij.

Aty thuhet se i akuzuari Brnçanin e dinte se viktima ishte plagosur rëndë dhe përkundër kësaj,  nuk e dërgon në një institucion shëndetësor dhe e lë atë të dalë nga vetura, duke e lënë në rrugë, ku si pasojë e plagëve të marra, përkatësisht shokut hemorragjik, viktima ndërron jetë në QKUK.

Me këto veprime i akuzuari Brncanin ngarkohet me kryerjen e veprës penale “Mosdhënia e ndihmës” nga neni 188, par.4 lidhur me par.1 të KPPK-së.

Tutje, aktakuza e ngarkon të pandehurin Brnçanin se me datën e cekur si më lartë, akuzohet se edhe pse ka qenë në dijeni për identitetin e kryesit të veprës penale për lëndim të rëndë trupor edhe pse ka qenë në dijeni si dëshmitar okular nuk i ka njoftuar organet kompetente  kompetent.

Për këtë veprim akuzohet se ka kryer veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre” nga neni 378, par.1, pika 1.3 të KPRK-së.