Hidhet poshtë pretendimi i Thaçit për shkelje të të drejtave themelore
Gjykata Kushtetuese në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, ka hedhur poshtë referimin e fundit të Hashim Thaçit lidhur me shkeljet e të drejtave themelore. “Paneli i Gjykatës Kushtetuese, i përbërë nga gjykatësit Vidar Stensland, Rumen Nenkov dhe Romina Inkuti, ka bërë sot publik vendimin mbi referimin më të fundit të Hashim…
Lajme
Gjykata Kushtetuese në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, ka hedhur poshtë referimin e fundit të Hashim Thaçit lidhur me shkeljet e të drejtave themelore.
“Paneli i Gjykatës Kushtetuese, i përbërë nga gjykatësit Vidar Stensland, Rumen Nenkov dhe Romina Inkuti, ka bërë sot publik vendimin mbi referimin më të fundit të Hashim Thaçit në lidhje me disa shkelje të pretenduara të të drejtave të tija themelore. Referimi kishte të bënte me regjimin e masave hetimore të posaçme të vendosura nga Gjykatësi i Vetëm ndaj të akuzuarit gjatë paraburgimit vitin e kaluar”, njofton Specialja.
Thaçi pretendoi se me vendosjen e masave ishin shkelur nene të caktuara të Kushtetutës së Kosovës dhe të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore. Ndër të tjera, ai u ankua se monitorimi i bisedave të tija jo të privilegjuara ka cenuar të drejtën e tij për privatësi dhe disa aspekte të garantimit të gjykimit të drejtë.
“Paneli përcaktoi se ankesa e Thaçit nuk ka demonstruar shkelje të së drejtës së tij kushtetuese për privatësi dhe rrjedhimisht vendosi se ky aspekt i referimit ishte i papranueshëm, në përputhje me rregullën 14(f) të Rregullores së Punës së Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese (“Rregullorja e DHSGJK”)”, njofton Specialja.
Më tej, Paneli konstatoi se ankesat e Thaçit lidhur me të drejtën për avokat dhe të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje janë të papranueshme. Konkretisht, Paneli konstatoi se këto ankesa janë të parakohshme, duke pasur parasysh se nuk ka filluar asnjë procedurë gjyqësore në lidhje me këtë çështje dhe nuk ka pasur një vendim përfundimtar lidhur me akuzat. Rrjedhimisht, nuk janë shfrytëzuar të gjitha mjetet e mundshme juridike në përputhje me nenin 113(7) të Kushtetutës së Kosovës, nenin 49(3) të Ligjit dhe rregullën 14(f) të Rregullores së DHSGJK-së.