Anulimi i aktiviteteve të prokurimit nga ekzekutivi, INPO shpalos raportin

Organizata INPO, në raportin e “monitorimit të aktiviteteve të prokurimit të Qeverisë së Kosovës”, ka bërë të ditur se nga 16 ministri dhe Zyra e Kryeministrit në vitin 2023, rreth 296 aktivitete janë të anuluara, prej tyre 218 të ritenderuara kanë përfunduar me kontrata, ndërsa 78 aktivitete kanë mbetur të pa realizuara. Përmes këtij raporti…

Lajme

24/12/2024 12:39

Organizata INPO, në raportin e “monitorimit të aktiviteteve të prokurimit të Qeverisë së Kosovës”, ka bërë të ditur se nga 16 ministri dhe Zyra e Kryeministrit në vitin 2023, rreth 296 aktivitete janë të anuluara, prej tyre 218 të ritenderuara kanë përfunduar me kontrata, ndërsa 78 aktivitete kanë mbetur të pa realizuara.

Përmes këtij raporti thuhet se Ministria e Infrastrukturës ka shënuar nivelin më të lartë të dështimeve në aktivitete të anuluara me 60 për qind.

Sipas këtij raporti, vlera financiare e aktiviteteve të anuluara është mbi 13 milionë euro buxhet, ku kryeson Ministria e Arsimit me mbi 5 milionë euro.

Në publikimin e këtij raporti monitoruesi i INPO-s, Diellor Gashi tha se të dhënat janë mbledhur nga platforma e E-Prokurimit.

“INPO këtë vit ka përgatitur raportin mbi anulimet e aktiviteteve të prokurimit të cilat janë bërë nga institucionet e nivelit qendror apo ministritë kontraktuese që përfaqësojnë ato. Raporti analizon të gjitha anulimet e aktiviteteve edhe të prokurimit që janë bërë gjatë vitit 2023 të dhënat janë mbledhë të gjitha nga platforma e-prokurimit”, tha Gashi.

Hulumtuesi, Arbër Kabashi bëri të ditur se Ministria e Infrastrukturës ka shënuar nivelin më të lartë të dështimeve në aktivitetet e anuluara me 60 për qind, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit me 51.5 për qind, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë me 50 për qind, Ministria e Punëve të Brendshme me 44 për qind dhe Ministria e Bujqësisë me 33.3 për qind.

“Numri më i madh shprehet te Ministria Infrastrukturës, me 60 për qind të rasteve të anuluara, pastaj MKRS, me 51.5 për qind, MASHT-i me 50 për qind, MPB-ja me 44 për qind dhe Ministria e Bujqësisë me 33.3 për qind. Në lidhje me vlerën financiare të aktiviteteve të anuluara, të dhënat tregojnë për gjithsej 13.4 milionë euro buxhet të planifikuar për këto aktivitete por, që nuk ka arritur të shpenzohet. Nga ana tjetër, nga vlera financiare, sipas ministrive në këtë listë kryeson Ministria Arsimit me gjithsej 5.5 milionë euro të planifikuar në aktivitet të prokurimit që janë anuluar, pastaj MINT me 4 milionë euro, Ministria e Shëndetësisë dhe Mjedisit me nga 1 milionë euro si dhe MPB-ja me aktivitete që arrijnë shumën deri në mbi 600 mijë euro”, theksoi Kabashi.

Në këtë raport ka edhe listë rekomanduese qëaktivitetet e prokurimit të mos anulohen dhe përsëritën në të ardhmen.