Aplikimi i Kosovës në BE, Guerrot: Kosova ka kusht politik dialogun me Serbinë, që t’i bind shtetet

Ambasadori i Francës në Kosovës, Olivier Guerrot, duke folur për çështjen e aplikimit të Kosovës për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka thënë se “kushti politik” është dialogu për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. “Unë mendoj se disa anëtarë të BE-së nuk janë plotësisht të bindur se për momentin…

Lajme

15/12/2024 18:01

Ambasadori i Francës në Kosovës, Olivier Guerrot, duke folur për çështjen e aplikimit të Kosovës për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka thënë se “kushti politik” është dialogu për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

“Unë mendoj se disa anëtarë të BE-së nuk janë plotësisht të bindur se për momentin është i përshtatshëm. Këtu mendoj se i kthehemi vetë çështjes së zbatimit të [aneksit] Ohrit apo marrëveshjes së 27 shkurtit për të bindur të gjitha vendet anëtare se është momenti i duhur. Ne mbështesim që Kosova përfundimisht të bëhet anëtare e BE-së, sikurse edhe vendet e tjera të rajonit”, ka thënë ai në një intervistë për “KosovaPress”.

“Ne e shohim qartë rrugën drejt integrimeve evropiane, dëshirojmë që të plotësohen disa kushte, një nga kushtet më të rëndësishme është ky kusht politik që Kosova të jetë plotësisht e angazhuar në dialog dhe në zbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë të dialogut. Për çështje të tjera si gatishmëria për reforma të brendshme, gatishmëria e ekonomisë, gatishmëria e institucioneve, ne shohim një progres të bërë nga qeveria e Kosovës”, ka thënë ai.