Protestë para ndërtesës së Presidencës së Serbisë gjatë fjalimit të Vuçiqit

Disa qindra qytetarë dhe aktivistë u mblodhën para ndërtesës së Presidencës së Serbisë në Beograd më 11 dhjetor, gjatë fjalimit të paralajmëruar të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në atë ndërtesë. Aktivistët e organizatës informale studentore “Borba” njoftuan për këtë tubim në rrjetin social Instagram, me mesazhin: “Presidenti flet në lidhje me bllokadat studentore, ejani…

Lajme

11/12/2024 19:12

Disa qindra qytetarë dhe aktivistë u mblodhën para ndërtesës së Presidencës së Serbisë në Beograd më 11 dhjetor, gjatë fjalimit të paralajmëruar të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në atë ndërtesë.

Aktivistët e organizatës informale studentore “Borba” njoftuan për këtë tubim në rrjetin social Instagram, me mesazhin: “Presidenti flet në lidhje me bllokadat studentore, ejani para Presidencës që zëri ynë të dëgjohet”.

Dhjetëra fakultete shtetërore në Serbi janë bllokuar pas sulmeve ndaj studentëve gjatë protestave në lidhje me aksidentin vdekjeprurës në stacionin hekurudhor në Novi Sad.

Studentët që kanë bllokuar katër universitete shtetërore – atë të Beogradit, Novi Sadit, Nishit dhe Kragujevcit – kërkojnë, ndër të tjera, publikimin e dokumentacionit të fshehtë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, ku gjatë shembjes së një strehe të çatisë më 1 nëntor humbën jetën 15 njerëz dhe dy të tjerë u lënduan rëndë.

Ata gjithashtu kërkojnë hedhjen poshtë të akuzave kundër studentëve të arrestuar dhe ndaluar gjatë protestave që pasuan aksidentin.

Aksidenti ndodhi vetëm disa muaj pas hapjes solemne të stacionit pas një rindërtimi trevjeçar.

Përfaqësuesit e pushtetit i dënojnë protestat dhe bllokadat.

Vuçiq me “lajm të mirë” për studentët

Gjatë asaj kohe, Vuçiq njoftoi në një konferencë për media se jashtë po zhvillohen “demostrata politike”.

Vuçiq tha se synon t’i njoftojë studentët për “një lajm të mirë”.

Ai theksoi gjithashtu se një monument për viktimat do të ngrihet në vendin e aksidentit në stacionin hekurudhor në Novi Sad.

Në lidhje me kërkesat e studentëve protestues, Vuçiq tha se të gjithë studentët e ndaluar janë “liruar”.

“Nëse dënohen për trazira, do të marr vendim për t’i falur”, tha Vuçiq.

Ai ka shtuar se ka kërkuar nga kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, që në rend dite të vendoset seanca për ndërrimin e Qeverisë në Kuvend. /REL