Kryeministri i ri i Sirisë u bën thirrje refugjatëve sirianë të kthehen

Kryeministri i ri i Sirisë u bëri thirrje sirianëve që kanë kërkuar strehim jashtë vendit, të kthehen në Siri, pas përmbysjes së presidentit Bashar al-Assad. Mohammad al-Bashir, i emëruar nga grupet rebele si udhëheqës i Qeverisë kalimtare, i tha së përditshmes italiane, Corriere della Sera, se një nga synimet e tij të para është “kthimi…

Bota

11/12/2024 15:05

Kryeministri i ri i Sirisë u bëri thirrje sirianëve që kanë kërkuar strehim jashtë vendit, të kthehen në Siri, pas përmbysjes së presidentit Bashar al-Assad.

Mohammad al-Bashir, i emëruar nga grupet rebele si udhëheqës i Qeverisë kalimtare, i tha së përditshmes italiane, Corriere della Sera, se një nga synimet e tij të para është “kthimi i miliona refugjatëve sirianë që ndodhen jashtë vendit”.

“Kapitali i tyre njerëzor, përvoja e tyre do t’i mundësojë vendit të lulëzojë”, tha Bashir në intervistën e publikuar të mërkurën.

“Kam një thirrje për të gjithë sirianët jashtë vendit: Siria është tani një vend i lirë që ka fituar krenarinë dhe dinjitetin e saj. Kthehuni! Ne duhet ta rindërtojmë, të rilindemi dhe kemi nevojë për ndihmën e të gjithëve”, tha ai.
Regjimi i Assadit në Siri ra më 8 dhjetor, kur pushtetin e mori organizata Hayat Tahrir al-Sham (HTS) – e shpallur terroriste nga SHBA-ja – dhe aleatë të saj.

Lufta civile gati 14-vjeçare në këtë vend la të vrarë 500.000 njerëz dhe detyroi gjysmën e banorëve të largoheshin nga shtëpitë e tyre – miliona prej të cilëve gjetën strehim jashtë vendit.
Pas largimit të Assadit, Siria përballet me pasiguri të mëdha.

Shqetësime ka sidomos për dhunën sektare, edhe pse HTS-ja ka bërë përpjekje t’i sigurojë pakicat fetare se do të jenë të sigurta në Sirinë e re.

Komunitetet e ndryshme të vendit, përfshirë të krishterët, kurdët dhe alavitët, presin tani të shohin se çfarë qeverie do të udhëheqë Bashiri.

Kreu i Kishës Katolike, Papa Françesku, bëri thirrje të mërkurën për “respekt të ndërsjellë” midis feve në Siri.