Lahu “shfaqi” krisjen e re brenda VV-së- Liburn Aliu nuk i shkon në asnjë mbledhje Albin Kurtit, mungoi edhe në atë të Këshillit

Partitë politike e kanë të vështirë të qëndrojnë gjatë “pa prishje” në mes njëri-tjetrit. Madje në Kosovë, historitë më të bujshme politike janë shkruar pikërisht mbi prishjet që ndodhin brenda partive të mëdha në kuadër të individëve që kanë pasur shumë rëndësi aty. Ngjashëm ka ndodhur thuajse me secilën parti, ku njerëzit e rinj e…

Lajme

11/12/2024 15:25

Partitë politike e kanë të vështirë të qëndrojnë gjatë “pa prishje” në mes njëri-tjetrit.

Madje në Kosovë, historitë më të bujshme politike janë shkruar pikërisht mbi prishjet që ndodhin brenda partive të mëdha në kuadër të individëve që kanë pasur shumë rëndësi aty.

Ngjashëm ka ndodhur thuajse me secilën parti, ku njerëzit e rinj e që bënin bujë më pas zinin lehtësisht vendin e atyre që ishin prej vitesh aty.

Po pak rëndësi ka kjo. Bujë të madhe së fundi sa i përket partive politike bëri një përplasje e ndodhur në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Një video e publikuar nga Nacionale shfaqi një debat mjaftë të zëshëm që bëhej pikërisht në mes asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në kryeqytet.

Njeriu kyç i kësaj video ishte pikërisht Berat Lahu, i njohur ndryshe si dhëndri i Liburn Aliut.

Lahu i cili u bë i njohur edhe nga disa biznese të bujshme në Prishtinë, atë ditë nxori një deklaratë që veçse e bëri situatën edhe më të rëndë brenda VV-së, për të cilën reaguan edhe vetë këta të fundit.

Ai dëgjohej duke thënë se 50 milionë euro janë kërkuar në emër të Albin Kurtit për pronat në Badovc.

“Qe ku o ky zotnia që e votojke Badovcin. Dilke në foltore (nuk kuptohet), e ka negociu. Pse kena nejtë, pse kena nejtë qitu? Në emër të Albinit ia ke dhanë 50 milionë. Ti i ke dhanë, ti, ti, ti (nuk kuptohet). Albin Kurti i thirrke njerëzit në telefon (nuk kuptohet) Dil sqarone atje 50 milionëshin… O Egzon lej këto farë sendesh, a keni marrë masa që e ka votu këto? Mos më bon presion”, thotë Lahu.

E kundër kësaj deklarate u shprehën nga VV-ja që thanë se distancohen nga secili pretendim i thënë nga asamblisti Lahu.

“I njëjti asamblist duke dashur të arsyetojë veten për thyerjen e vendimit zyrtar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, si dhe të mbulojë implikimet e tij personale të bëra sot me ekzekutivin e Komunës me ç’rast si asamblist i LV-së mundësoi kuorumin, kalimin e buxhetit. Po ashtu në rend dite u tentua që përmes tij të kontrabandohet edhe revidimi i planit rregullues të hollësishëm “Zona Ekonomike” si dhe Plani Zhvillimor Komunal (PZhK) 2024-2032 të Kryetarit Përparim Rama. Prandaj ky asamblist sulmon duke formuluar shpifje të kulluara për Kryeministrin Kurti”.

Por problemi kyç në këtë çështje qëndron diku tjetër, tek prishja që saktësisht po ndodhë në mes kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Kjo ftohje e marrëdhënieve ka shkuar aq larg saqë një nga miqtë më të mirë të Kurtit, nga njerëzit më kyç të Vetëvendosjes nuk ishte prezent as në mbledhjet e fundit të partisë.

Liburn Aliu madje s’u bashkua as në mbledhjet ku po diskutoheshin emrat e kandiditimit për deputetë. Ai është parë në një prej lokaleve të kryeqytetit, duke pi e hangër për shtatë qejfe.

Aliu po ashtu mungoi edhe në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje. Ai nuk është parë askund, e lëre më si herat e kaluara kur ishte në rreshtat e parë të renditjes së Vetëvendosjes.

Se prishja pati në mes dyshes është vërejtur së fundi edhe në disa deklarime të hapura të ministrit Aliu.

Liburn Aliu disa herë derisa fliste për autostradën Prishtinë-Gjilan thoshte hapur se kryeministri Kurti kishte gabuar e ishte ngutur kur po deklarohej me data e vite për hapjen e kësaj autostrade.

E problemet e shumta siç duket lidhen edhe me pronat që kanë zyrtarët politikë në vend.

Në seancën e kaluar të Kuvendit të Prishtinës është prezantuar edhe një dokument i rëndësishëm që është “’Lënia për diskutim publik e Planit Zhvillimor Komunal (PZhK)”.

Ky plan-dokumenti ka rendësi të madhe për zhvillimin strategjik në Prishtinë, e i cili është tentuar të miratohet në mënyrë të kundërligjshme në dy vitet e fundit.

Po ashtu në Kuvend pritet që të rikthehet për plotësim dhe ndryshim për herë të tretë, “Plani Urbanistik” për një pjesë të Veternikut, zonë kjo ku gjendet edhe zona e njohur “Marigonës”. Sipas raportimeve të deritanishme pikërisht në këtë zonë përfshihen prona të Aliut dhe të disa zyrtarëve të tjerë, si Lumir Abdixhiku.

Berat Lahu po ashtu njihet si mik i një prej pronarëve të “Marigonës”.

Mungesa e Liburn Aliut në takime të Kurtit e të rëndësishme është vërejtur mjaftë shumë këtë vit.

E në kuadër të ministrisë së drejtuar nga Liburn Aliu këtë vit janë nisur disa hetime, në departamente të ndryshme përfshirë këtu edhe hetimet për milionat në kuadër të ambalazhimit të ujit.

Kurse Berat Lahu ishte njëri nga të arrestuarit gjatë aksionit të njohur si “Brezovica”. Lahu ishte arrestuar nën dyshimin për lëshimin e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar të Sharrit, por i njëjti më pas është lëshuar nga arresti.

Lajmi.net ka tentuar të komunikojë me Aliun në lidhje me këtë situatë të krijuar, por ky i fundit vazhdimisht ka refuzuar të përgjigjet./Lajmi.net/

“Në emër të Albin Kurtit janë vjedh 50 milionë euro për Badovcin” – Del video e bisedës mes asamblistëve të LVV-së në Prishtinë