Bashota: Shtabi Operativ është krijuar pas strukturimit të UÇK-së
Dëshmitari Sokol Bashota tha të hënën në Hagë se Shtabi Operativ i Ushtisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është krijuar dhe ka qenë funskional pas strukturimit të UÇK-së në fund të 1998-ës, ndërsa më ’97-ën ka qenë i shkapërderdhur. “Shtabi Operativ (është krijuar) kur janë bërë zonat operative dhe me strukturim. Kujtoj, më ’97-ën ka qenë…
Lajme
Dëshmitari Sokol Bashota tha të hënën në Hagë se Shtabi Operativ i Ushtisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është krijuar dhe ka qenë funskional pas strukturimit të UÇK-së në fund të 1998-ës, ndërsa më ’97-ën ka qenë i shkapërderdhur.
“Shtabi Operativ (është krijuar) kur janë bërë zonat operative dhe me strukturim. Kujtoj, më ’97-ën ka qenë i shkapërderdhur. Kjo ka ndodhë me burgosjen e Nait Hasanit, me largimin e Xheladin Gashit në Shqipëri, me vrasjen e Zahirit, me burgosjen e Bislim Zogajt. Domethenë, Shtabi Operativ ka qenë i shpërberë në kuptimin funksional”, tha dëshmitari, duke shtuar se ky Shtab përbëhej nga komandantët e zonave.
Ai tha se takimet në këtë Shtab janë mbajtur nga Nait Hasani, e nganjëherë edhe nga Xheladin Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Për aq sa më ka folë Nait Hasani. Është bërë unifikimi i këtyre gupeve-është bërë thirrje, unifikimi dhe të masivizohen grupet me njerëz dhe është bisedu për format e mbështetjes logjistike të tyre”, tha Bashota kur u pyet për përmbajtjen e takimeve të këtij Shtabi.
Dëshmitari theksoi se nuk e di se a është diskutuar çështja e kolaboracionistëve në këto takime të komandantëve të zonave. Tha se me ‘luftë speciale’ si term e kupton propagandën që mund të bëjnë të tjerët kundër punës së tij apo organizatës që përfaqëson.
“Muj me gabu në definicion, por propaganda kundër vlerave që t’i ofron. Një propagandë që e bëjnë të tjerët për të degradu punën që e bën ti ose organizata të cilën ti e përfaqëson. Kështu e kuptoj”, tha Bashota.
Dëshmitari deklaroi se ka qenë në fshatin e tij, kur u pyet se ku ndodhej ai gjatë korrikut të 1998-ës.
“Unë në korrik- në fshatin tim (kam qëndruar) për arsye se aty u patën dalë pozicionet e UÇK-së, kanë dalë publikisht. Mbi fshatin Kijevë është kriju një vijë ndarëse në mes pozicioneve serbe dhe UÇK-së dhe aty kemi ndejtë brenda territorit të UÇK—së. Ka qenë një vatër e nxehtë dhe ishte pika e parë për t’u futur prej jugut në Drenicë nga forcat serbe. Kryesisht kam ndejt në fshatin tim të lindjes”, tha Bashota.
Sokol Bashota tha se në Divjakë ka qenë selia e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së gjatë korrikut të 1998-ës.
“Në Divjakë ne e kemi pas një shtëpi e cila është përdorë prej ilegales. Që ka qenë një burrë i mirë që nuk ka hezitu me e lëshu atë shtëpi për njerëz që kanë qenë të rrezikuar dhe prej atëherë ne e kemi përdorë atë shtëpi herë pas here në Divjakë. Nezir Zogaj ka qenë pronar i asaj shtëpie e cili më vonë është arrestuar nga forcat serbe”, tha Bashota.
Ndërsa, duke folur për shtatorin, dëshmitari tha se nuk i kujtohet që ka marrë pjesë në ndonjë mbledhje të Shtabit të Përgjithshëm, por që nuk e përjashton mundësinë për shkak se herë pas here kanë shkuar në mbledhje.
Sipas tij, mbledhjet më me dinamikë kanë qenë pas strukturimit të UÇK-së. Kurse për tetorin, dëshmitari tha se e di që është shpallë një armëpushim por që nuk e di se kërkesa pë respektimin e kësaj marrëveshje është bërë përmes ndonjë komunikate apo me anë të ndonjë mbledhje në nivel të Shtabit të Përgjithshëm.
Më pas, dëshmitarit iu prezantua një marrëveshje e 30 tetorit 1998, e cila parashihte bashkimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) dhe UÇK-së.
Sipas një dokumenti të prezantuar, Agim Çeku do të ishte komandanti, ndërsa zëvendëskomandant Sokol Bashota dhe një person tjetër.
Ndërsa, shef i Shtabit të Përgjithshëm parashikohej të bëhej Bislim Zyrapi, për çka dëshmitari tha se nuk është në dijeni të përmbajtjes së kësaj marrëveshje dhe se në takimet ku ka marrë pjesë nuk është diskutuar ajo.
Gjithashtu, Bashota mohoi se ka dijeni që Shtabi i Përgjithshëm ka autorizuar Kadri Veselin dhe Bislim Zyrapin për të nënshkruar këtë marrëveshje.
Ai mohoi se ka marrë pjesë në ndonjë diskutim ku është diskutuar për pika të ndalimit ku mund të ndaloheshin personat.
“S’e besoj që ka pas”, tha dëshmitari Sokol Bashota.
Ai gjithashtu tha që nuk beson që dhënia e deklaratave publike nga anëtarët e UÇK-së bëheshin me lejen e Shtabit të Përgjithshëm.
Në një rast, avokati i Thaçit, Luka Mishetiq e përballi dëshmitarin me deklaratat që ai i ka dhënë në rastin e Ramush Haradinajt në Tribunalin e Hagës, të cilat ndryshonin nga ato se çfarë thotë dëshmitari lidhur me hierarkinë e raportimit në UÇK. Në një rast, përmendet fakti që Bashota kishte thënë se familja e Haradinajt i kishte kërkuar që të dëshmonte në gjyq.
Me kaq përfundoi seanca e sotme për të vazhduar sërish të martën me dëshminë e këtij dëshmitari.