Thirrja në grupe të ‘Telegramit’ për të dëmtuar pajisjet e Policisë së Kosovës në veri, flet ministri Sveçla
Në një grup në rrjetin social “Telegram”, në të cilën flitet në gjuhën serbe e temë kryesore është situata e sigurisë në veri të Kosovës, mbrëmë (29.11.2024), qytetarëve iu bë një thirrje. Disa pajisje të Policisë së Kosovës – e që në mesazhin e dërguar në këtë grup thuhet se janë kamera me valë –…
Lajme
Në një grup në rrjetin social “Telegram”, në të cilën flitet në gjuhën serbe e temë kryesore është situata e sigurisë në veri të Kosovës, mbrëmë (29.11.2024), qytetarëve iu bë një thirrje.
Disa pajisje të Policisë së Kosovës – e që në mesazhin e dërguar në këtë grup thuhet se janë kamera me valë – u kërkua që të thyhen.
“Luten qytetarët, mbi të gjitha ata që janë të gatshëm të japin mbështetje në luftën e mëtejshme kundër pushtuesit, që të thyejnë dhe heqin këto pajisje për kamerat me valë (kamera wireless)! Kjo do të na lehtësojë dhe do të na japë hapësirë për veprime të mëtejshme! Ato janë të vendosura kryesisht në pemë dhe nuk kanë kabllo”, thuhet në këtë mesazh.
Një fotografi që duket se është bërë gjatë natës iu bashkua këtij mesazhi, që në grup u dërgua më 29.11.2024 në orën 11:40, pra pak para mesditës.
Po atë ditë, në mbrëmje u krye më pas edhe sulmi terrorist me eksploziv që dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok.
Për këtë çështje, KALLXO.com ka pyetur ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla gjatë konferencës së jashtëzakonshme të mbajtur pas sulmit terrorist.
“Institucionet e Republikës së Kosovës në veri në vazhdimësi atakohen, vitin e kaluar ne kemi pas diku 107 sulme ndaj Policisë, prona e tyre, mjetet e punës së tyre në vazhdimësi cenohen nga këto elemente terroriste, përfshirë edhe thirrjen për sulm ndaj pjesëtarëve të saj apo pajisjeve të cilat Policia i përdor”– tha ministri.
Ai tutje shtoi se është në dijeni për këtë mesazh që u dërgua në grup, por që nuk ka ndonjë informacion tjetër.
“Unë jam në dijeni për rastin të cilin ju po e përmendini, realisht nuk kemi ndonjë informacion që ata kanë pas sukses në këtë rast, me gjithë atë edhe vet thirrja për rezistencë kriminale apo thirrja që me i dëmtu asetet qoftë të Policisë, qoftë kritike të shtetit të Kosovës është vepër e rëndë penale dhe patjetër e ndëshkueshme”, u shpreh i pari i MPB-së.
Ministri Sveçla, bashkë me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha kanë mbajtur një konferencë për media ku treguan për disa bastisje që u kryen sot, më 30.11.2024, në veri të vendit.
Një numër i konsiderueshëm i armëve, pajisjeve ushtarake e pajisjeve të tjera është gjetur gjatë këtyre bastisjeve në veri.
Deri më tani, siç kanë bërë të ditur vet ministri e drejtori i Policisë, janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore tetë persona.
Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Vrragë të komunës së Zubin Potokut.
Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se tashmë janë bërë arrestimet e para në lidhje me këtë rast. Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Joseph Borrel e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin ujor të Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024), ku ka diskutuar për këtë shpërthim. Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar.
Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi. /Kallxo.com/