Sokol Bashota: Azem Syla ishte komandant i UÇK-së
Dëshmitari Sokol Bashota tha sot në Hagë se Azem Syla ishte komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Këtë deklaratë e bëri Bashota kur u pyet nga prokurori Matt Halling se cili ishte roli i Azem Sylës në UÇK. “Azem Syla e ka pasur rolin e komandantit të UÇK-së”, tha Sokol Bashota, raporton “Betimi për…
Lajme
Dëshmitari Sokol Bashota tha sot në Hagë se Azem Syla ishte komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Këtë deklaratë e bëri Bashota kur u pyet nga prokurori Matt Halling se cili ishte roli i Azem Sylës në UÇK.
“Azem Syla e ka pasur rolin e komandantit të UÇK-së”, tha Sokol Bashota, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Më pas dëshmitarit iu prezantua një artikull të botuar në shtator të 1999-ës në gazetën “Zëri”, në të cilën Azem Syla kishte deklaruar se UÇK-ja është krijuar në vitin 1993 dhe në atë mbledhje kanë qenë ai, Xhavit Haliti, Ali Ahmeti, Xheladin Gash, një shok tjetër që për momentin ai kishte thënë se nuk mund të ia përmend emrin.
“Në atë mbledhje u vendos struktura organizative e grupeve guerile, taktika e kryerjes së aksioneve, mënyra e shtimit të radhëve, sigurimit të armeve dhe municioneve, mënyra e mbajtjs së ndërlidhjes brenda tyre dhe me Qendër në Kosovë, përgatitja e kuadrove me njohuritë ushtarake dhe kryesorja vendimi për intensifikimin e aksioneve në të gjithë Kosovën”, citoi Prokurori deklaratën e Azem Sylës.
Lidhur me këtë, dëshmitari tha se ka qenë një takim në Tiranë po këtë vit mirëpo nuk është diskutu krijimi i UÇK-së.
“Siç e thash edhe në seancën përgatitore, jemi takuar në Tiranë, por që është kriju UÇK-ja nuk është diskutu. Thjeshtë në këtë takim janë dhënë vetëm udhëzimet që në Kosovë ka grupe të armatosura dhe që të punohet në bashkimin e atyre grupeve, por nuk është diskutuar krijimi i një ushtrie në atë takim”, tha Bashota.
Dëshmitari tha se mendon që ky shkrim në këtë gazetë është më tepër glorifikues se sa që e pasqyron realitetin.
“Ky shkrim më tepër është glorifikues i shkruar mas luftës me duket, se sa që ka të vërtetë në të”, tha Bashota.
Prokurori kërkoi që në prova të pranohet ky dokument. Ndërsa, kundërshtime pati mbrojtja me arsyetimin se dëshmitari e konteston vërtetësinë e asaj interviste.
Si rrjedhojë, kryegjyqtari tha se do të pranojnë në prova vetëm disa faqe të dokumentit dhe jo të tërin.
Përpara kësaj, dëshmitari pohoi se ka qenë pjesë e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK) që nga viti 1982. Ai tha se nuk e din nëse LPK-ja ka marrë ndonjë funksion ushtarak rreth vitit 1993.
Dëshmitari gjithashtu u pyet se nga puna politike a ka kaluar në atë ushtarake brenda LPK-së në vitin 1993.
“Në vitin 1993 unë nuk ka bërë asnjë veprim ushtarak dhe nuk kam marrë asnjë aksion luftarak gjatë asaj kohe-për vitin 1993”, tha ai.
Dëshmitari tha se në atë kohë kishte frikë që ata të mos arrestoheshin. Ndërsa, prokurori e pyeti atë se a ekzistonte frika që kishte njerëz të infiltruar nga Serbia në LPK.
“Në organizimet ilegale nuk përjashtohet kurrë mundësia e infiltrimeve të njerëzve të cilët realisht mujnë me bashkëpunu me pushtuesin por që rastet konkrete nuk i di”, tha Bashota.
Ai tregoi edhe masat preventive që kanë marrë brenda LPK-së që të mos iu dilnin sekretet.
“Ishin masat preventive që të organizoheshim në treshe d.m.th. tre anëtarë në mënyrë që të eliminoheshin hyrjet e këtyre elementeve të cilët do të na dekonspironin në organizimin tonë. Formula treshe është quajtur në atë kohë ku unë kam mujt me i pas dy veta, një shok i imi me ka pas mua dhe dikë tjetër dhe kështu ka qenë ajo preventiva për të mos dal informacioni”, tha ai.
Ai gjithashtu u pyet se a kishte shqetësime në LPK që personat që i arrestonte Serbia mund të nxirrnin informacione për anëtarët e tjerë të Lëvizjes.
“Po ka mundësi se frika ka ekzistu por nuk e di që ka raste konkrete që dikush prej njerëzve që kanë rrethu ta ketë bërë një gjë të tillë”, tha Bashota.