Kurti në ditën e Forcës: Kemi dyfishuar numrin e ushtarëve e kemi trefishuar buxhetin e Mbrojtjes
Mbledhja e 233-të e Qeverisë po mbahet në të njëjtën ditë me Ditën e Forcës e ditën e Ushtrisë së Republikës së Kosovës. Gjatë kësaj mbledhje në fjalën e tij Kryeministri Kurti tha se numri i ushtarëve është dyfishuar derisa edhe investimet në armatim janë shumëfishuar. “Qeveria jonë ka treguar që mbrojtja ka qenë ndër…
Lajme
Mbledhja e 233-të e Qeverisë po mbahet në të njëjtën ditë me Ditën e Forcës e ditën e Ushtrisë së Republikës së Kosovës.
Gjatë kësaj mbledhje në fjalën e tij Kryeministri Kurti tha se numri i ushtarëve është dyfishuar derisa edhe investimet në armatim janë shumëfishuar.
“Qeveria jonë ka treguar që mbrojtja ka qenë ndër prioritetet tona kryesore dhe kjo është dëshmuar në vazhdimësi si me numrin e ushtarëve që është dyfishuar, si me buxhetin për Ministrinë e Mbrojtjes që është trefishuar, si me trajnimet jashtë vendit të oficerëve dhe ushtarakëve tanë që janë katërfishuar, si me investimet në armatim që janë shumëfishuar”, ka thënë Kurti.
Tutje Kurti ka thënë se një hap i rëndësishëm që u bë sot është edhe nisja e procedurave e negociatave lidhur me hapjen e fabrikës për prodhimin e municionit.
“Këtë ditë të rëndësishme për ushtrinë tonë po e shënojmë me një vendim të rëndësishëm, që porsa e nënshkrova, para se të vij këtu në mbledhje dhe me një hap të domosdoshëm besojmë, për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të saj: do të themelojmë komisionin ndërministror për qëllim të vlerësimit dhe nisjes së procedurave e negociatave lidhur me hapjen e fabrikës për prodhimin e municionit dhe për laborator mbi dizajnimin e fluturakeve pa pilot në Republikën e Kosovës”.
Ndërkaq sipas Kurti thotë se një ushtri që për një kohë kaq të shkurtër është armatosur kaq shumë, ka nevojë për ta siguruar e garantuar operacionalitetin e plotë dhe qëndrueshmërinë tërësore.
Ndryshe gjatë kësaj mbledhje u diskutua edhe projektligji për lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.
“Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 janë ngjarja më e madhe sportive në vend e rajon dhe përmes investimeve do të kontribuojë drejtpërdrejt në përmirësimin dhe avancimin e infrastrukturës sportive, kurse përmes mikpritjes do të kontribuojë në përfaqësimin dhe promovimin ndërkombëtar të republikës sonë”, ka thënë Kurti.
Marrë parasysh rëndësinë e jashtëzakonshme të kësaj ngjarjeje, projektligji për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 parasheh ta shpallë organizimin e tyre si çështje me interes të lartë publik, duke i vendosur ato në qendër të vizionit për sportin dhe zhvillimin shtetëror.
Projektligji gjithashtu parasheh themelimin e Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare që do të udhëheqë me projektin.
“Në emër të qeverisë, dua të falënderoj ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në veçanti zëvendësministren tonë, Daulina Osmani për përkushtimin e lartë dhe lidershipin e fortë në secilën fazë të deritanishme të kësaj ndërmarrjeje historike për sportin dhe vendin tonë. Falënderoj gjithashtu Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare për mbështetjen e vazhdueshme dhe sugjerimet kuptimplota nga përvoja dhe njohuritë e tyre. E krahas projektligjit për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, vendi ynë po bëhet për herë të parë edhe me Strategji Shtetërore për Sportin. Dokumenti që pret miratimin tonë sot, përcakton drejtimet kryesore për zhvillimin e sportit nga tani e deri në vitin 2030, me fokus në qeverisje të mirë, avancim të rezultateve, fuqizim të diplomacisë sportive dhe përfshirje të qytetarëve në aktivitetet sportive. Por, për të dy këto vendime për sportin, do t’ju flasë më gjatë zëvendësministrja Osmani, në konferencën e rregullt për media pas kësaj mbledhjeje”, ka përfunduar Kurti. /Lajmi.net/