McKee: Nuk pres që ShBA’ja të ndryshojë qasje ndaj Kosovës – e bindur se përkushtimi i popullit amerikan ndaj kosovarëve do të vazhdojë
Marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën nuk janë lëkundur gjatë administratave të ndryshme, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Erin Elizabeth McKee, ndihmësadministratore në Byronë për Evropë dhe Euroazi në USAID. “Angazhimi ynë, përkushtimi i popullit amerikan ndaj popullit të Kosovës, kanë vazhduar dhe jam e bindur se do të vazhdojnë”, thotë ajo…
Lajme
Marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën nuk janë lëkundur gjatë administratave të ndryshme, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Erin Elizabeth McKee, ndihmësadministratore në Byronë për Evropë dhe Euroazi në USAID.
“Angazhimi ynë, përkushtimi i popullit amerikan ndaj popullit të Kosovës, kanë vazhduar dhe jam e bindur se do të vazhdojnë”, thotë ajo në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.
McKee, e cila po viziton Kosovën me rastin e 25-vjetorit të punës së USAID-it në Prishtinë, thekson se prioritetet e USAID-it në të ardhmen do të fokusohen në ofrimin e ndihmës për Kosovën në rrugën e saj euro-atlantike, në tranzicionin drejt një energjie më të gjelbër dhe të rinovueshme dhe në konsumimin e mundësive ekonomike.
Meqë po festoni 25-vjetorin e punës së USAID-it në Kosovë, cilat mendoni se janë disa nga arritjet më domethënëse që keni parë gjatë kësaj kohe?
Erin McKee: Më duhet të them së pari se periudha kohore 25-vjeçare në Kosovë duket njëkohësisht edhe e gjatë, edhe e shkurtër.
Kur erdhëm këtu për herë të parë, kuptohet se angazhimi ynë kishte të bënte me tejkalimin e pasojave dhe rindërtimin, dhe nëse shikojmë nga këndvështrimi aktual, gjatë këtyre dy vjetëve që unë e ushtroj këtë detyrë dhe tri vizitave që tashmë kam bërë në Kosovë, përparimi ka qenë mahnitës.
Përtej tejkalimit të pasojave dhe rindërtimit, është punuar në ndërtimin e një të ardhmeje të jashtëzakonshme, ndërtimin e institucioneve demokratike, krijimin e vendeve të punës, gjithnjë me shikim drejt një të ardhmeje euroatlantike, duke parë shpresën dhe mundësitë në fytyrën e secilit kosovar dhe duke u siguruar që partneriteti ynë të mbetet i fortë.
Ky evolucion, ky transformim ka qenë i jashtëzakonshëm.
Si përputhen prioritetet aktuale të Qeverisë së SHBA-së me projektet dhe nismat që USAID-i po zhvillon në Kosovë?
Erin McKee: Tri prioritetet tona kryesore janë si vijon: ta mirëmbajmë kursin ekzistues, ta ndihmojmë Kosovën që ta realizojë të ardhmen e saj duke arritur integrimin euroatlantik, ta ndihmojmë tranzicionin e saj drejt një të ardhmeje energjetike më të gjelbër, të ripërtërishme, të qëndrueshme dhe të sigurt.
Energjia është forcë shtytëse e çdo gjëje, duke filluar nga bizneset deri te shërbimet qeveritare si arsimi, shëndetësia. Duhet t’i mbajmë dritat të ndezura, ujin duke rrjedhur, ngrohjen gjatë dimrit.
Dhe, sigurisht, i treti [prioritet] janë mundësitë ekonomike. Kur flasim për demokracinë, mënyra më e mirë për t’u treguar njerëzve të çdo kombi se demokracia me të vërtetë ofron atë që premton, është lirimi i potencialit ekonomik, ndalimi i “rrjedhjes së trurit jashtë vendit” dhe ndihma dhënë njerëzve për të gjetur të ardhmen e tyre në vendin e tyre, duke ndihmuar njëkohësisht ndërtimin e një të nesërmeje më të mirë.
Këto janë ato tri fushat në të cilat kemi qenë dhe do të vazhdojmë të jemi të fokusuar. REL