Nominimet e presidentit Trump për pozitat kyçe, pozitive për Kosovën

Nominimi i senatorit, Marco Rubio, si sekretar i Shtetit në administratën e re amerikane, po mirëpritet në Kosovë. Pozitë e opozitë, por edhe njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare konsiderojnë se nominimet e presidentit të zgjedhur, Donald Trump, në pozitat kyçe të institucioneve në SHBA janë hap pozitiv edhe për Kosovën dhe thellimin e partneritetit me aleatin…

Lajme

14/11/2024 18:12

Nominimi i senatorit, Marco Rubio, si sekretar i Shtetit në administratën e re amerikane, po mirëpritet në Kosovë.

Pozitë e opozitë, por edhe njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare konsiderojnë se nominimet e presidentit të zgjedhur, Donald Trump, në pozitat kyçe të institucioneve në SHBA janë hap pozitiv edhe për Kosovën dhe thellimin e partneritetit me aleatin kryesor.

Të mërkurën, Trump vendosi që Marco Rubio të jetë sekretar Shteti në administratën e tij të re, kurse John Ratcliffe, drejtor i ri i inteligjencës kombëtare.

Madje, zgjedhja e këtij të fundit si drejtor i ri të CIA-s, shihet pozitive për vendin dhe shqiptarët, pasi konsiderohet si një mbështetës i madh i çështjes së Kosovës.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetare e Komisionit parlamentar për punë të jashtme, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, thotë se emërimet e reja në administratën Trump janë pozitive. Sipas saj, të njëjtat dëshmojnë se partneriteti Kosovë-ShBA do të vazhdojë edhe më tutje.

“Republika e Kosovës gjithmonë ka qenë e përkushtuar që të vazhdojë të punojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pa marrë parasysh se kush vjen në krye të shtetit dhe institucioneve përgjegjëse brenda për brenda Shtëpisë së Bardhë. Mendojmë se kushdo që është aty, është e njëjta gatishmëri për të ֛çuar bashkëpunimin e mirë që tashmë ekziston mes dy vendeve. Neve na ka gëzuar fakti se kemi parë dy emërime dhe zyrtare dhe po presim që edhe i treti të emërohet zyrtarisht. Në veçanti po flitet për persona që kanë përshtypje dhe opinion të mirë për Republikën e Kosovës. Ne besojmë se kjo do të ndikojë pozitivisht në thellimin edhe më tej të raporteve të mira që këto dy vende tashmë i kanë. Besoj se jemi të vetëdijshëm për të gjithë partneritetin e mirë që ka ekzistuar ndër vite mes Kosovës dhe ShBA-së. Me këto emërime është një tjetër hap pozitiv që dëshmon se ky partneritet do të ketë hapësirë të vazhdojë edhe më tutje. Nuk besoj se ndonjëherë ka pasur ndonjë arsye për të dyshuar se mund të ndodh e kundërta, pavarësisht se kush mund të ishte në krye të këtyre institucioneve”, thotë Kryeziu-Hyseni.

Në anën tjetër, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj thotë se përzgjedhjet e presidentit Trump në pozitat kyçe të institucioneve amerikane kanë vlera për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi.

Deputeti opozitar ndalet në përzgjedhjen e John Ratcliffe si drejtor i ri i CIA-s, për të cilën thotë se ka pasur takim me të gjatë vizitës në Teksas dhe se ai është mbështetës i madh i çështjes së Kosovës.

“Është një rikthim i fuqishëm i presidentit Trump. Është një përzgjedhje që ka vlera, ka përvojë të madhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në udhëheqje qoftë si anëtari Kongresit apo në komisione që kanë të bëjnë me politikën e jashtme. Po flas për këto tri pozita që janë përzgjedhur deri tani. Në pjesën e përzgjedhurit në inteligjencë është një njeri i cili nga përgatitja e tij, mendoj se e njeh mirë rajonin, Ballkanin dhe zgjidhjen e çështjes së Kosovës që nga fillimi i saj dhe deri tani. Në raport me shqiptarët është një mik i komunitetit shqiptarë në Dallas, ka pasur përkrahjen e tyre por mbi të gjitha ka dhënë përkrahje kudo sidomos për shqiptarët në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Preshevë, Mal të Zi dhe kudo që është folur për çështjen e shqiptarëve… Në udhëheqjen e qeverisë nga LDK-ja do të rikthehet edhe partneriteti serioz dhe afatgjatë. Komunikimi jo i parcializuar ose komunikimi për interesa populiste, por një strategjie ku mbështetja e ShBA-së të jetë ajo që ka qenë domosdoshmëri që nga fillimi për liri dhe pavarësi”, thekson Zemaj.

Me gjithë kritikat nga opozita, dëmtimin e raporteve me SHBA-në gjatë qeverisjes së kryeministrit Kurti e mohon deputetja e LVV-së, Kryeziu-Hyseni.

Sa i përket “përplasjeve” me ish0emisarin e SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i cili ka shërbyer gjatë administratës së parë të presidentit Trump, ajo konsideron se kryeministri Kurti s’ka pasur polemika më të, mirëpo “vetëm qëndrime të kundërta në momente të caktuara”.

“S’mendoj që ne kemi pasur polemika dhe s’mendoj që mund të nisemi prej asaj që kryeministri Kurti ka marrë pjesë në një event në një moment të caktuar [konventa e demokratëve]. Ai ka pasur ftesë që të përfaqësojë (LVV) si parti socialdemokrate në atë kohë dhe sigurisht kjo ka qenë arsyeja që ai ka qenë në atë konventë. Aty kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të partive të tjera politike edhe nga Kosova, Shqipëria por edhe nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më tej. Kjo nuk do të thotë se kemi marrë pjesë aty për të treguar se jemi pro njërin apo kundër tjetrit, por thjesht kemi marrë pjesë në një event që kemi qenë të ftuar të përfaqësojmë partitë nga vijmë. S’besoj se kemi pasur polemika por kemi pasur qëndrime të kundërta në momente të caktuara sa i përket çështjeve që ndërlidhen me Kosovën. Ju e dini se po i referohem qasjes që zotëri Grenell ka pasur në momente të caktuara në kuptim të dialogut. Një qasje të tillë ne do të mbanim edhe nëse s’do të kishte qenë Grenell apo kushdo të tjetër. Të njëjtën qasje do të kemi edhe sot kur në krye të këtyre institucioneve do të ishin ndryshe prej zotëri Grenell”, deklaron ajo.

Ndërkaq, analisti Dorajet Imeri, thotë se ndryshimet politike në SHBA janë të rëndësishme për Kosovën.

Ai kërkon nga institucionet e Kosovës të punojnë ngushtë me institucionet e reja në SHBA, derisa shton se emrat e rinj të nominuar për pozitat kyçe udhëheqëse atje janë njerëz që kanë treguar përkushtim dhe zell në politikën e jashtme amerikane në raport me Kosovën.

“SHBA-ja është treguar faktor i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon. Ndryshimet politike që ndodhin do të jenë të rëndësishme edhe për zhvillimet politike. ShBA-ja ka dëshmuar deri tash që është e njëtrajtshme në procesin e saj të politikës së saj të jashtme. Ndryshimet e emrave mund të jenë vetëm një formalitet në disa raste dhe në disa raste mund të ketë një nxitje pozitive. Mirëpo SHBA-ja vazhdon të jetë besnike të qëndrimeve standarde që ka vendosur për rajonin tonë. Ne duhet të tregojmë kujdes të shtuar në gatishmërinë tonë për të punuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Emrat e rinj që janë atje në këtyre të institucioneve duhet të shohim si njerëz të cilët në të kaluarën kanë treguar përkushtim dhe zell në politikën e jashtme të ShBA-së në raport me Kosovën”, deklaron ai.

Në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në SHBA, kandidati i republikanëve, Donald Trump, është shpallur presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara duke siguruar rreth 276 vota të Kolegjit Elektoral.

Në garë të ngushtë ishte demokratja Kamala Harris, aktualisht zëvendëspresidente.

Fitoren e Trumpit e kanë përshëndetur liderë botërorë. Ai u urua edhe në Kosovë – shtetin që ka gëzuar përkrahjen e SHBA-ve, pavarësisht kush ka qenë në krye të administratës amerikane.