Pas deklaratës për diasporën, Kurti: Ekonomitë më të forta janë aty ku ka shqiptarë, si Gjermani e Zvicër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar sot pas deklaratës së tij të djeshme në lidhje me diasporën për të cilët ka thënë se “punëtorët e patriotët më të devotshëm i kemi në diasporë”. Ai sot ka vizituar Institutin për Krime të Luftës dhe derisa po deklarohej për media është pyetur në lidhje me këtë…

Lajme

11/11/2024 14:43

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar sot pas deklaratës së tij të djeshme në lidhje me diasporën për të cilët ka thënë se “punëtorët e patriotët më të devotshëm i kemi në diasporë”.

Ai sot ka vizituar Institutin për Krime të Luftës dhe derisa po deklarohej për media është pyetur në lidhje me këtë deklaratë, shkruan lajmi.net.

Kurti ka thënë se “prej shqiptarëve më të devotshëm në kuptimin profesional i gjejmë në diasporën tonë”.

“I kemi mbi 1 milion jashtë dhe besoj se po të ishit edhe ju në takime sikur unë me studentë e mësimdhënës shqiptarë, prej Haildebergut e deri në Cambridge do të kuptoni se çfarë po flasë. Kemi nevojë të kthejmë trurin në Kosovë, pasi disa nga ekspertët më të mëdhenj nuk i kemi këtu. Nuk janë remitencat ato që e ndihmojnë shtetin tonë, por shkathtësia”, ka thënë Kurti.

Ai ka përmendur edhe disa emra të shquar të cilët kanë ardhur nga diaspora për të kontribuar në Kosovë.

“E vlerësojë shumë kontributin në luftën e ushtrisë në Kosovë, por edhe tek heronjtë tanë siç ishte Fehmi Lladrovci që ka ardhur nga diaspora. Pra edhe në Kuvend ka prej atyre që një prej pjesës më të madhe të jetës e kanë kaluar në diasporë. Pra, kam shprehur patriotizmin e zellin që kanë këta, pra s’kam deklaruar ashtu siç po thoni. Pra ekonomitë më të forta janë aty ku ka shumë shqiptarë, pra janë ekonomi gjigante. Në ato sistemi ekonomike shqiptarët janë të jashtëzakonshëm. S ‘mund të krahasohemi asnjëri prej nesh me punën që bëjnë ata në Zvicër e Gjermani, sepse shihni ku janë këto vende”, ka shtuar Kurti.

Deklarata e tij e mbrëmshme në lidhje me diasporën ka nxitur shumë reagime nga opozita e analistë të shumtë politikë. /Lajmi.net/