Rrahmani tha se kurrikula e re po i degjeneron fëmijët, Nagavci: Keqardhje që keqpërdoret kjo foltore për interesa personale ose të një grupi
Deputeti i cili është larguar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe i është bashkuar “Listës për Familjen”, Eman Rrahmani ka thënë sot në Kuvend se kurrikula e re po kontribuon në degjenerimin e fëmijëve. Ai ka thënë se e ka lexuar kurrikulën për edukatën seksuale dhe shëndetin riprodhues dhe e ka ndarë një pjesë në foltore të…
Lajme
Deputeti i cili është larguar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe i është bashkuar “Listës për Familjen”, Eman Rrahmani ka thënë sot në Kuvend se kurrikula e re po kontribuon në degjenerimin e fëmijëve.
Ai ka thënë se e ka lexuar kurrikulën për edukatën seksuale dhe shëndetin riprodhues dhe e ka ndarë një pjesë në foltore të Kuvendit.
“Në atë kurrikulë mësohen se si mësimdhënësit t’iu tregojnë fëmijëve nga klasa e 1 deri në klasën e 12 se si i kryejnë marrëdhëniet e tyre në shtëpitë e tyre. Në atë kurrikulë, ministrja Nagavci ka miratuar që fëmijët të marrin një shembull një vajzë dhe një djalë që i qesin para gjithë shokëve të klasës dhe njërit ia mbyll sytë për 5 minuta e nxënësi tjetër ka me ia prek me dorë trupin me sytë mbyllur dhe pastaj do t’i ndërrojnë rolet e më pas do të tregojnë se çka kanë ndjerë, çfarë organe kanë prekur”, tha Rrahmani.
Rrahmani i ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që ta lexojnë këtë kurrikulë.
Ai kërkoi nga ministrja Nagavci të tregojë se sa ka shpenzuar “gjatë mandatit për degjenerimin, rrezikimin e qenies dhe jetës së fëmijëve”.
Për këtë ka replikuar edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
“Është për keqardhje që të keqpërdoret kjo foltore siç keni bërë gjithmonë për interesat personale ose të një grupi. Thjeshtë dhe shkurt deputeti Rrahmani kurrikulat tona që i kemi miratuar kanë të bëjnë me edukimin dhe mire edukimin e të gjithë vajzave dhe djemve. Në mënyrë që asnjë vajzë e as një djalë të mos keqpërdoret ashtu siç keni bërë deri me tani. Pse nuk folët sot për udhëzimin administrativ? Sepse sot që po flasim ne, nuk kemi as një vajzë që nuk vijon mësimin. Deputet Rrahmani vazhdimisht e keni keqpërdor këtë foltore për të thënë së vajzat nuk shkojnë në shkollë për shkak të mbulesës. Sot që po flasim sado që ju jeni munduar që të manipuloni me vajza në familje, nuk kemi asnjë vajzë që nuk vijon shkollimin. Dhe sot e çdo ditë si ministre e arsimit do të angazhohem maksimalisht që të ketë një edukim të plotë për secilin vajzë dhe djalë, për shoqërinë tonë. Andaj kurrikulat janë dokumente publike në faqen e MASHT-it dhe ne i kemi promovuar disa herë”, ka thënë ajo.