Liburn Aliu ndryshe nga shefi: Kur u tha se do të hapet autostrada për Gjilan, as afër s’ka qenë – Përtoj edhe me fol për të

Autostrada Prishtinë-Gjilan Dheu i Bardhë jo vetëm që doli jashtë parashikimeve të çdokujt për realizimin e saj, por nuk po përfundon as këtë vit. Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu në një konferencë për media ka refuzuar të jap datë për përfundimin e kësaj autostradë. Madje ai ka thënë se nuk e di kur do të…

Lajme

23/10/2024 12:11

Autostrada Prishtinë-Gjilan Dheu i Bardhë jo vetëm që doli jashtë parashikimeve të çdokujt për realizimin e saj, por nuk po përfundon as këtë vit.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu në një konferencë për media ka refuzuar të jap datë për përfundimin e kësaj autostradë.

Madje ai ka thënë se nuk e di kur do të kryhet ajo.

Sikur të mos jetë ministër e përgjegjës për këtë çështje, ai tha se “hezitoj dhe përtoj edhe me fol sepse kemi pengesa të vazhdueshëm dhe kemi pas zvarritej të vazhdueshme”.

“S’përtoj me fol për rrugën e Mitrovicës, nuk përtoj me fol për rrugën e Podujevës, nuk përtoj me fol për rrugën e Pejës. Secilit janë duke shkuar me trende mjaft të shpeshte. Këto dy projekte janë projekte të trashëguara me probleme dhe të kontraktuara qysh atëherë, por ka një progres mjaft të madh, sidomos te autostrada e Gjilanit, në krahasim me atë të Gjakovës”, tha Aliu.

Ai tha se “një mal i madh që ka qenë në mes të autostradës është gërmuar plotësisht”.

Aliu tha se kur është thënë se kjo autostradë do të përfundonte në fund të vitit 2023, “ka qenë një gabim, për shkak se as për së afërmi nuk ka qenë realisht”.

“Dhe për mua, kur kam qenë në vizitën e fundit – se është mbase projekti që më së tepërmi e kam vizituar, gati çdo muaj ia bëj një vizitë – mendoj që ka një progres të madh, mirëpo nuk mund t’ju jap datë, për shkak se kur është dhënë aso kohe premtimi ose data që do të kryhet në vitin e kaluar, ka qenë një gabim, për shkak se as për së afërmi nuk ka qenë realisht. Këto kanë qenë raportime të rregullta që vijnë nga ministria, që nuk kanë pasë shumë të bëjnë me realitetin. E që sot, pas zgjidhjes së shumë problemeve që kanë ndodhë – kanë qenë edhe disa të shpronësimit, edhe disa teknike nga rrëshqitja e dheut që ka ndodhë e që janë sanuar – pak a shumë problemet faktike, reale janë eliminuar dhe procesi është duke shkuar tashmë në një ritëm mjaft të shpejtë, por nuk mund t’ju jap datë”, tha ministri.

E ishin vetë kryeministri Albin Kurt, e zv/ministri Hysen Durmishi që patën deklaruar se ajo do të hapet deri në fund të vitit 2023. Madje kishin uruar edhe qytetarët./Lajmi.net/