Qeveria tha se ka ulje të nivelit të papunësisë- Banka Botërore na rendit të fundit në rajon, kurse njohësit thonë se po manipulohet me shifra

“Ndeshje rezultatesh” pati në kuadër të matjeve për nivelin e papunësisë në vend mes Bankës Botërore e Qeverisë së Kosovës. Javën e kaluar në një vlerësim të fundit, Banka Botërore e nxori Kosovën në një nivel jo të kënaqshëm në raport me vendet e rajonit sa i përket aspektit të papunësisë. Përkundër asaj që e…

Lajme

24/10/2024 18:29

“Ndeshje rezultatesh” pati në kuadër të matjeve për nivelin e papunësisë në vend mes Bankës Botërore e Qeverisë së Kosovës.

Javën e kaluar në një vlerësim të fundit, Banka Botërore e nxori Kosovën në një nivel jo të kënaqshëm në raport me vendet e rajonit sa i përket aspektit të papunësisë.

Përkundër asaj që e tha Qeveria, që në Kosovë janë vetëm 4 për qind e popullatës të papunë e që vendi ka shënuar një progres të dukshëm në uljen e papunësisë, Banka Botërore jo vetëm që e demanton me raportin e fundit diçka të tillë, por madje vendin e vendos të fundit në rajon.

Sipas këtij raporti, shifra e papunësisë në Kosovë prek 63%, pra me vetëm 37 për qind të popullsisë së aftë për punë – të punësuar.

Po ashtu del që përkundër tentativave të Qeverisë për të dëshmuar të kundërtën, papunësia në Kosovë me mbi 50% është ende temë shqetësuese për vendin.

Kryetari i Forumit Intelektual Europa 2030, Artan Nimani, në një intervistë telefonike për lajmi.net, iu është referuar si “bombardim“ me statistika të pakonfirmuara nga Qeveria e Kosovës, matjeve për nivelin e papunësisë që këta të fundit jo më larg se para disa javësh i publikuan.

“Kohëve të fundit po bombardohet me statistikat e pakonfirmuara nga Qeveria e Kosovës, duke e rrit numrin në mënyrë fiktive. Banka Botërore ka paraqit vetëm 37.1% të të punësuarve, që do të thotë se pjesa rreth 60% të tjerë janë të papunësuar, është një sfidë qe nuk kalohet më statistika por që kalohet duke u ndal konkretisht në zgjidhjen e kësaj problematike”, u shpreh Nimani.

Ai madje tha se nuk ka nevojë për shifra e raporte, kur krejt çka duhet për të parë se në Kosovë ka papunësi është të dalësh në kafe.

“Si e tillë është absolutisht e papranueshme, është qesharake, madje është edhe fyese për personat që i njohin gjërat elementare të ekonomisë. Nuk ka nevojë shumë që të kemi statistika, mjafton të dalësh në rrugë dhe e sheh se cili është niveli i papunësisë. Mjafton të dalësh në kafe dhe e sheh cili është niveli i papunësisë. Vet fakti kur njerëzit i ke nëpër kafe, kjo nënkupton që janë të papunë. Prandaj, duhet me qenë të sinqertë me vetveten dhe jo të manipulohet me shifra”, shtoi profesori Nimani.

Sipas tij, Banka Botërore nuk bën analiza për qejfe personale, e prandaj edhe rezultati paraqet shqetësim të jashtëzakonshëm.

“Këtu gjithçka po lidhet me sistemet elektorale, gjithçka po lidhet me vota, niveli i papunësisë në Kosovë, është më i madh në rajon. Kjo tregon faktin pse kemi pagën më të ultë në rajon, kjo tregon faktin që kemi numrin më të ulët të punësuarve sipas BB. Sepse Banka Botërore nuk bën analiza për qejfe personale, andaj unë mendoj që është shqetësim i jashtëzakonshëm”, u shpreh ai.

Sipas profesorit, për përmirësimin e gjendjes, në plan të parë duhet të kthehet shpresa tek të rinjtë, duhet të kthehet shpresa në institucionet e Republikës së Kosovës.

“Qeveria e Kosovës duhet të orientohet saktësisht në ofrimin e mundësive të punësimit, ngritjen e pagës dhe vlerësimin sipas performancës nëpër institucionet në të cilat punojnë. Të gjithë njerëzit, po e them me përgjegjësi të plotë, të gjithë të punësuarit në sektorin publik, vendin e tyre të punës nuk e shohin më atraktiv, për shkak të këtyre problematikave, jo vetëm financiare të cilat janë shkaktu sidomos katër vitet e fundit nga Qeveria Kurti. Nëse nuk kemi politika të mirëfillta edhe kjo pjesë siç po shihet, pjesa e elitë, ose pjesa e të punësuarve në sektorin shëndetësorë, në sektorin e IT-së, në sektorin e mësimdhënies si dhe në Forcën e Sigurisë dhe në Policinë e Kosovës në mënyrë masive janë duke kërkuar alternativën tjetër që është largimi nga vendi për një jetë më të mirë”, tha Nimani.

E për njohësin e ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ato që më së miri e mat nivelin e standardit të jetesës së qytetarëve janë trendet ekonomike.

“Në këtë drejtim jemi dëshmitarë të asaj që trendet ekonomike më së miri e masin opinionin qytetar dhe nivelin e standardit të tyre. Vetë fakti që nga Kosova po iket, vetë fakti që në Kosovë nuk ka investime të huaja, vetë fakti që bizneset po mbyllen e dëshmon më së miri faktin që kriza ekonomike dhe sociale në Kosovë është në rritje“, pohoi ai në një deklarim për lajmi.net.

Sipas Gërxhaliut, skenimi më i mirë i mundshëm për nivelin e papunësisë në vend është vet raporti i fundit i Bankës Botërore.

“Kur i kem këta indikatorë ekonomike është utopike të mendohet se Kosova ka rritje të numrit të të punësuarve por besoj skenimi më i mirë ka ardhë nga Banka Botërore alarmon faktin se në Kosovë vetëm 37.1% e qytetarëve janë të punësuar nga ajo grup moshë që është e gatshme për punë. Vërtetë janë të dhëna shqetësuese në qoftë se analizohen edhe në aspektin rajonal pore dhe në aspektin evropian”, vazhdoi tutje ai.

Sipas tij, e tëra kjo duhet të jetë një simptomë apo një sinjal për Qeverinë të bëjë më tepër për zhvillimin ekonomik. Siç tha ai, të krijohet një perspektivë ekonomike e mbështetur nga një stabilitet politik dhe një sundim i rendit dhe ligjit, që të kemi investime dhe investitorë të huaj.

Gërxhaliu thotë se nëse vendosim një raport mes numrit të qytetarëve që jetojnë në vend dhe numrit të personave të punësuar aktualisht, rezulton me një gjendje shqetësuese për Kosovën.

“Shkalla e papunësisë vërtetë është shqetësuese. Në qoftë se i referohemi regjistrimit të popullsisë të bërë nga enti i statistikave të Kosovës, atëherë në Kosovë kemi afro 1 milion e 600 mijë qytetarë apo banorë. Në qoftë se kësaj i shtohet fakti se të punësuar në sektorin privat dhe publik janë 435 mijë dhe në qoftë se në të vërtetë është valid fakti se në Kosovë moshë e gatshme për punë, pra 18 deri në 65 vjeç, janë 1 milion e 160 mijë, atëherë lind pyetja: Ku janë 725 mijë qytetarë të tjerë?”, u shpreh ai.

Njohësi i ekonomisë thotë se nuk ka arsye që për interesa politike, apo për kampanja zgjedhore të dilet me shifra të tilla, përderisa realiteti po e dëshmon se papunësia është shumë më e madhe.

“Nuk duhet të pritet gjithmonë nga Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtarë, apo ndonjë institucion tjetër kredibil ta tregojë të vërtetën. Këtë e kemi alarmuar me muaj të tërë, që vërtetë ka arsye për brengosje. Nëse ka shtim të vendeve të reja të punës, ka shumë më tepër legalizim apo zyrtarizim të të punësuarve se sa krijim të vendeve të reja të punës”, tha Gërxhaliu.

Ai madje në përgjigjen e tij tha se është koha kur duhet vërtetë të punohet më tepër për ekonomi, se sa të flitet për ekonomi, dhe se nuk mund të ketë ekonomi dhe zhvillim ekonomik pa de- politizim të ekonomisë në Republikën e Kosovës.

“Mundësitë për zhvillim janë të lidhura ngushtë me ecuritë e trendeve ekonomike në Kosovë. Vetë fakti që viteve të fundit kemi një mungesë të dialogut të mirëfilltë, jo vetëm në aspektin e nivelit qendror, por edhe lokal, jo vetëm mes pozitës dhe opozitës, por edhe akterëve të biznesit, atëherë është një rrethanë shqetësuese. Vetë fakti që jemi në këtë dominim të agjendës politike dhe Kosova e pranuam apo jo është në krizë politike falë dialogut me Serbinë, dhe fakti që Kosova sot është nën sanksione e masa ndëshkuese nga BE, është një argument tjetër. Kësaj i shtohet edhe fakti që Qeveria, nga krerët politikë të niveleve të ndryshme çdo ditë dëgjohet termi luftë dhe ka lajme të tilla negative, jo vetëm që po i de motivojnë investitorët e huaj por edhe bizneset vendore po largohen”, shtoi tutje.

Në fund, Gërxhaliu la si mesazh për klasën politike se perspektiva dhe prosperiteti ekonomik varet krejtësisht nga sektori privat, e që sipas tij është pjesa ku duhet vendosur më shumë fokus.

“Prandaj, definitivisht duhet të kemi zhbllokim të fondeve për investime kapitale sepse të jemi në vitin 2024 dhe ta kemi nivelin e investimeve kapitale, ku implementimin e tyre në sektorin privat më të ulëta se në vitin 2014/15/16, vërtetë është dëshmia më e mirë që për ekonominë në Kosovë flitet dhe aspak nuk bëhet. Mbartësi kryesor i zhvillimit ekonomik nuk është politika, por sektori privat, dhe për këtë sektori privat meriton mbështetje. Vetëm kur gjenerohen vende të rejë të punës nga sektori privat ka prosperitet dhe perspektive ekonomike”, përfundoi ai.

Rikujtojmë edhe njëherë se, nëse kthehemi pakëz mbrapa, jo më shumë se disa javë, një raport i tillë i bie të jetë në kundërshtim me një që e shpërndau partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas raportimit të qeverisë, në Kosovë numri i të papunëve prekte vetëm shifrën 4%, duke u renditur kështu si e para në rajon për kah numri i të punësuarve.

Pas raportit të BB-së që e tregon qartazi një dallim mes shifrash, ka reaguar Ministri i Financave, Hekuran Murati.

Murati u shpreh se kjo shifër ka të bëjë me pjesëmarrjen e popullsisë aktive në tregun e punës, pra tregues tjetër prej atij të papunësisë. Konkretisht prej atij që Qeveria e shpërndau.

“Raporti i Bankës Botërore, siç edhe mund të shihet në tabelën më poshtë, e thotë që papunësia në Kosovë në fund të vitit 2023 është 10.9%. Shifra që disa media po i referohen në atë raport, ka të bëjë me pjesëmarrjen e popullsisë aktive në tregun e punës, pra tregues tjetër prej atij të papunësisë”, shkroi ai në një postim në llogarinë e tij në Facebook.

E përveç kësaj, ministri Murati u përkujdes t’iu kundërpërgjigjet edhe zërave të opinionit publik që shpërndajnë të kundërtën.

Sipas tij  raporti i BB-së u “keqpërdor nga mediat e afërta me opozitën”, pretendon se ky i fundit u “keqcitua”.

“Si ka ecur numri i të punësuarve dhe shkalla e papunësisë nëpër vite? Ditë më parë ishim dëshmitarë se si media të afërta me opozitën tentuan të keqpërdorin një raport të Bankës Botërore, duke e keqcituar dhe duke pretenduar se raporti po demanton shifrat e Qeverisë. Por ku qëndron e vërteta sa u përket shifrave të punësimit dhe papunësisë?”, shkruan Murati, duke prezantuar disa statistika të ASK-së.

Sipas tij, “në Qeverinë Kurti janë shtuar gati dyfish më shumë vende pune sesa në të gjitha qeveritë tjera bashkë, nga viti 2012 e këtej”.

Lënë anash përplasjet e shumta të qëndrimeve politike, gjendja në nivelin e punësimit në vend del të jetë jo më e mira e mundshme, ndonëse ankesat e pronarëve të bizneseve për punëtorë janë aktuale, e shpalljet “Kërkojmë punëtorë” qoftë online apo fizikisht janë prezente më shumë se kurrë më herët./Lajmi.net/