Kryetarë e gjyqtarë kushtetues nga rajoni të enjten në Prishtinë

Kryetarë e gjyqtarë të Gjykatave Kushtetuese nga vendet e rajonit, përfaqësues të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian, Komisionit të Venecias dhe Asociacionit Botëror të Juristëve, do të bëhen bashkë të enjten në Prishtinë. Arsye pse ata do të jenë në kryeqendrën kosovare është Takimi i Dytë Vjetor…

Lajme

22/10/2024 17:03

Kryetarë e gjyqtarë të Gjykatave Kushtetuese nga vendet e rajonit, përfaqësues të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian, Komisionit të Venecias dhe Asociacionit Botëror të Juristëve, do të bëhen bashkë të enjten në Prishtinë.

Arsye pse ata do të jenë në kryeqendrën kosovare është Takimi i Dytë Vjetor i Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit, takim që do të jetë nën drejtimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës si njëra nga anëtaret themelueset dhe me të drejta të barabarta i këtij forumi profesional ndërkombëtar të drejtësisë kushtetuese.

Temë kryesore e këtij përvjetori të parë të themelimit të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit, do të jetë “Evoluimet në drejtësinë kushtetuese bashkëkohore – shembulli i rajonit të Ballkanit”.

“Forumi i Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit, i themeluar më 27 tetor të vitit 2023, bashkon Gjykatat Kushtetuese të Kosovës, Shqipërisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, dhe Turqisë, rreth vlerave të përbashkëta të demokracisë, sundimit të së drejtës dhe mbrojtjes të së drejtave të njeriut”, thuhet në njoftimin e kushtetueses.

Ky forum profesional thuhet se u themelua me qëllim të përforcimit të bashkëpunimit ndërmjet gjykatave kushtetuese të rajonit dhe për të shërbyer si platformë diskutimi dhe shkëmbim përvojash mbi drejtësinë kushtetuese./rtk