SHBA, hetime rreth publikimit të paautorizuar të dokumenteve sekrete mbi planet izraelite për të sulmuar Iranin

Shtetet e Bashkuara po hetojnë për të idektifikuar mënyrën se si janë marrë e publikuar në mënyrë të paautorizuar dy dokumente shumë sekrete, që bëjnë një vlerësim të planeve të Izraelit për të sulmuar Iranin. Lajmi u bë i ditur për agjencinë ‘Associated Presst’ nga tre zyrtarë amerikanë që folën në kushte anonimiteti. Dokumentet duket…

Bota

20/10/2024 18:27

Shtetet e Bashkuara po hetojnë për të idektifikuar mënyrën se si janë marrë e publikuar në mënyrë të paautorizuar dy dokumente shumë sekrete, që bëjnë një vlerësim të planeve të Izraelit për të sulmuar Iranin.

Lajmi u bë i ditur për agjencinë ‘Associated Presst’ nga tre zyrtarë amerikanë që folën në kushte anonimiteti.

Dokumentet duket se i përkasin Agjencisë amerikane të Inteligjencës Gjeohapësinore dhe Agjencisë së Sigurisë Kombëtare. Aty thuhej se Izraeli po lëvizte mjete ushtarake për të kryer një sulm si përgjigje ndaj sulmit me raketa balistike të Iranit më 1 tetor.

Dokumentet duhet se ishin ndarë me të ashtuquajturit “Five Eyes”, “Pesë Sytë”, ku përfshihen Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Australia.

Dokumentet, të shënuara si tejet sekrete, u postuan në aplikacionin e mesazheve Telegram dhe lajmi rreth tyre u njoftua fillimisht nga rrjeti televiziv CNN dhe agjencia e lajmeve Axios.

Hetimet janë përqëndruar tek mënyra se si janë marrë dokumentet – përfshirë nëse kjo ishte një rrjedhje e qëllimshme nga një anëtar i komunitetit të inteligjencës amerikane apo ishin siguruar falë një metode tjetër, si hakerimi. Po kështu po hetohet nëse ishte kompromentuar edhe ndonjë informacion tjetër i inteligjencës tha një nga zyrtarët.

Ai shtoi se po punohet për të përcaktuar se kush kishte qasje tek dokumentet para se ato të postoheshin.

Uashingtoni i ka kërkuar Izraelit të përfitojë nga eliminimi i udhëheqësit të Hamasit, Jahya Sinwar dhe të bëjë presion për një armëpushim në Gazë. Po kështu i ka kërkuar Izraelit që të mos zgjerojë më tej operacionet ushtarake në veri në Libanit duke rrezikuar një luftë më të gjerë rajonale. Megjithatë, udhëheqësit izraelit kanë theksuar vazhdimisht se nuk do ta lënë pa përgjigje sulmin me raketa të Iranit.

Në një deklaratë, Pentagoni tha se ishte në dijeni të njoftimeve rreth rrjedhjes së dokumenteve, por zyrtarët nuk bënë komente të mëtejshme.

Ushtria izraelite nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment lidhur me këtë çështje.

Dokumentet u shfaqën fillimisht në internet të premten përmes një kanali në Telegram. Në postim pretendohej se ato ishin ofruar nga dikush brenda komunitetit amerikan të inteligjencës dhe më pas nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes. Kanali Telegram i përfshirë në rrjedhjen e dokumenteve vetëidentifikohet si me qendër në Teheran, kryeqyteti i Iranit.

Njëri nga dy dokumentet ngjan për nga stili me një material të Agjencisë Kombëtare amerikane të Inteligjencës Gjeohapësinore, që u mor dhe publikua në mënyrë të paligjshme nga Jack Teixeira, një ish-anëtar i Gardës Kombëtare. Ai u deklarua fajtor në mars për nxjerrjen e dokumenteve ushtarake shumë sekrete në lidhje me luftën e Rusisë kundër Ukrainës si dhe dokumenteve të tjera sekrete që lidhen me sigurinë kombëtare. VOA