Votat e diasporës parashihet të ndikojnë në rezultat- “Edhe shpijat me ua djegë Qeveria Kurti” besojnë se e bëri për nevoja të Kosovës

Tani kur kanë mbetur më pak se tre muaj nga zgjedhjet qendrore në Kosovë, kanë filluar “fushatat zgjedhore” anipse, jo zyrtarisht. Me të filluar diskutimet për zgjedhjet nacionale, kanë nisur edhe “dilemat”, ndaj asaj se a duhet apo jo mërgata të votojë për zgjedhjet nacionale në Kosovë. Këtë herë ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme ka…

Lajme

28/10/2024 20:20

Tani kur kanë mbetur më pak se tre muaj nga zgjedhjet qendrore në Kosovë, kanë filluar “fushatat zgjedhore” anipse, jo zyrtarisht.

Me të filluar diskutimet për zgjedhjet nacionale, kanë nisur edhe “dilemat”, ndaj asaj se a duhet apo jo mërgata të votojë për zgjedhjet nacionale në Kosovë.

Këtë herë ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme ka bërë disa ndryshime në procesin e votimit brenda Kosovës. Pa heshtje zgjedhore 48-orëshe, e me procedura të lehtësuara për mërgimtarët do të mbahen zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë.

Detaje rreth regjistrimit të mërgimtarëve ditë më parë për lajmi.net ka dhënë zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi i cili ka thënë periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës është duke vazhduar e cila ka filluar më 29 gusht dhe pritet të përfundojë më 26 dhjetor.

Tutje Elezi është shprehur se në bazë të të dhënave deri më tani përmes platformës elektronike, janë pranuar rreth 9 mijë e 440 kërkesa për regjistrim, prej të cilave 8 mijë e 716 janë aprovuar ndërsa 716 të tjera janë refuzuar.

“Është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024. Në bazë të të dhënave, deri më tani përmes platformës elektronike, janë pranuar rreth 9,440 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 8,716, ndërsa 716 të tjera janë refuzuar”, ka thënë Elezi.

Edhe pse numri i të regjistruarve nga Diaspora është shumë i madh, analisti Petrit Zogaj ka thënë se diasporës duhet t’i hiqet e drejta e votës në Kosovë.

Sipas tij, është e padrejtë qe një qytetar që jeton në Londër, Berlin e Paris të ia përcaktojë pushtetin politik një qytetari që jeton në Prishtinë, shkruan lajmi.net.

Për këtë çështje për të diskutuar se a duhet lejuar diaspora të ushtrojë të drejtën e saj edhe në këto zgjedhje për lajmi.net, ka folur njohësi i çështjeve politike Blerim Burjani, i cili tha se diasporës nuk duhet t’i hiqet e drejta për të votuar pasi është e drejtë kushtetuese.

Ai tutje ka thënë se çdo qytetarë i cili ka shtetësi të Kosovës gëzon këtë të drejtë, teksa shton se ani pse janë vetëm 22 qendra votimi ku kanë të drejtë vote 47 mijë mërgimtarë, ai thotë se mund të votohet edhe me post siç ka qenë edhe në vitet paraprake.

“Nuk është hequr e drejta që diaspora të votoj, kjo është e drejtë kushtetuese, të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë shtetësi të Kosovës pa marr parasysh ku jetojnë ata gëzojnë këtë të drejtë. Është e vërtetë që është thënë se qendra të votimit janë gjithsej 22 dhe nuk mund të ofrojnë mundësinë e votimit të më shumë se 47 mijë qytetarëve, por ata kanë të drejtë me post të votojnë ashtu si ishte më parë“, ka thënë Burjani.

Tutje ai ka thënë se në aspektin e përkrahjes së kryeministrit Albin Kurti nga ana e diasporës, Kurti ka qenë aktiv nëpër udhëtime në diasporë gjatë katër viteve qeverisje.

Sipas tij nuk do të ishte e habitshme nëse diaspora do të ndikonte drejtpërdrejtë në fitore ose humbje të dikujt.

“Siç e dini Kurti ka udhëtuar në diasporë jo rrallë përgjatë këtyre viteve dhe ai gëzon një përkrahje të konsiderueshme në diasporë dhe se  s’do mend se nëse dalin për të votuar diaspora mund të ndryshoj rezultat zgjedhor dhe të ndikojë drejtpërdrejtë në fitore ose në humbje të dikujt, pra varet edhe nga dalja e qytetarëve në diasporë në zgjedhje“, thotë Burjani.

I pyetur se a pritet që diaspora të mbështesë kryeministrin aktual Albin Kurti pas zhvillimeve të fundit në vend, Burjani thotë se një pjesë e madhe mund t’i qëndrojë besnik, por se ka edhe shumë të zhgënjyer.

“Një pjesë e madhe mund t’i qëndroj besnike, por ka edhe shumë të zhgënjyer tash për tash nuk dihet se Kurti mund të ketë shumicën e votave të diasporës“.

Tutje ai shprehet se mobilizimi zgjedhor ka ndodhur ngjashëm sikurse tek partitë tjera opozitare, ku sipas tij “mërgata manipulohet dhe gënjehet më lehtë”.

“Mobilizimi zgjedhor ka ndodhur ngjashëm sikurse me subjektet tjera politika opozitare të cilët kanë themeluar degë sërish. Diaspora më lehtë manipulohet dhe gënjehet“.

Ai ka përsëritur se diaspora ka një rol në zhvillimet politike dhe mund të ndikojë në zgjedhje.

“Diaspora ka një rol në këto zhvillime politike dhe mund të ndikojë në zgjedhje“, ka thënë ai

Tutje për lajmi.net, ka folur edhe analisti Leon Duhanaj i cili tha se kur flitet rreth pjesëmarrjes së mërgatës në proceset zgjedhore në Kosovë duhet të ketë një qëndrim të matur.

Ai thotë se nuk mund të ketë një përgjigje me “po apo jo”, kur kemi të bëjmë me diasporën pasi siç thotë ai në njërën anë është mërgata që mbanë Kosovën gjallë me remitencat dhe investimet e tyre .

“Pra nëse projeksionet buxhetore, përfshinë çdoherë edhe të hyrat nga mërgimtarët, atëherë nuk mund të themi apriori, t’u ndalohet pjesëmarrja në zgjedhje”, thotë Duhanaj.

Duhanaj mes tjerash ka theksuar edhe faktin se ndikimi i madh i mërgatës në proceset zgjedhore është problematik.

Ai tha se do të ishte më e pranueshme që mërgimtarët të mos partivipojnë në zgjedhjet lokale pasi që nuk afektohen drejtpërdrejtë, por që thotë se në ato qendrore është e drejtë e tyre legjitime.

“Ndoshta do të ishte e pranueshme, që mërgimtarët të mos partivipojnë në zgjedhjet lokale, pasi që nuk afektohen edhe aq drejtpërdrejtë, por në ato qendrore mendoj që është e drejtë legjitime”, thotë ai.

Ndryshe Duhanaj duke folur për zgjedhjet e fundit nacionale tha se ishte diaspora ajo që i dha shtysën vendimtare për t’i dhënë pushtetin kryeministrit Albin Kurti.

“Megjithatë mendoj se zgjedhjet, të fitohen apo humben përmasat e  ndryshimit i bën vetë Kosova, ndërsa diaspora përpos që ndikohet nga zhvillimet në Kosovë, nuk i ka as kapacitetet për të bërë ndryshimin e vetme”.

Mirëpo ai nuk shprehet shumë optimist rreth fitores së kryeministrit Kurti pasi sipas tij nuk ka kredi të mjaftueshme për të fituar votën e mërgimtarëve.

“Natyrisht se siç ka në Kosovë, ka edhe këndej militantë të cilëve nuk u intereson çfarë ndodhë me proceset, me Kosovën, por u intereson Kurti. Të tillëve edhe shpijat me ua djegë Qeveria Kurti, prapë besojnë që e ka bërë për patriotizëm dhe nevoja të Kosovës”, thotë Duhanaj për lajmi.net.

Ai e ka cilësuar Qeverinë Kurti si fatkeqësinë më të madhe që i ka ndodhur Kosovës, gjë për të cilën  thotë se kjo fatkeqësi vazhdon të thellohet.

“Qeveria Kurti, u dëshmua si fatkeqësia me e madhe, që ka mund t’i ndodhë Kosovës dhe për fat të keq, kjo fatkeqësi vazhdon të thellohet, me çdo ditë shtesë që Kurti qëndron në qeveri. Prandaj edhe mendoj që “historia” e tij tashmë do të përfundoj, me shumë me turp se me ndonjë punë që mbahet mend për mirë”.

Sipas tij kësaj radhe gjërat do të ndryshojnë dukshëm në favor të opozitës.

“Në ketë kontekst mendoj se duke qenë i mirë informuar për zhvillimet politike në diasporë, dhe duke përcjellur organizimin e subjekteve të tjera, sidomos të PDK-së, gjerat do të ndryshojnë dukshëm ne favor të opozitës”.

Ndërkaq sipas tij Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka kandidatin më kredibil dhe se shanset që kjo parti të dal e para në zgjedhjet nacionale është e lartë.

“Megjithatë, siç e thashë me lartë, zgjedhjet do t’i fitoj partia e cila arrin ta shtyjë agjendën e saj në diskursin publik, gjegjësisht,  ta ndërtoj narracionin e fituesit. Mendoj që PDK e ka kandidatin me kredibil dhe me të dëshmuar dhe si e tillë i ka shanset me të mira të dalë partia e parë”,tha ai.

Zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në vend do të mbahen me 9 shkurt 2025, datë kjo e përcaktuar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Në kuadër të këtyre zgjedhjeve mbetet të shihet se si do të jetë radhitja e partive politike në Kosovë.

Nga opozita shprehen të bindur se do të largojnë Vetëvendosjen nga pozita pasi sipas tyre, qytetarët veçse e kanë kuptuar punën e tyre, derisa pozita janë të bindur në drejtimin e shtetit edhe për një mandat tjetër./Lajmi.net/