Bajrami akuzon sërish pushtetin se nuk kanë të ndalur me manipulimet me numra

Derisa masat ndëshkuese të BE-së po i kushtojnë Kosovës qindra miliona euro, Zyra e propagandës së LVV po lavdërohet Deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për “manipulimet me numra”. Në një status në rrjetin social Facebook, ajo derisa ka thënë se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian po i kushtojnë…

Lajme

13/10/2024 14:35

Derisa masat ndëshkuese të BE-së po i kushtojnë Kosovës qindra miliona euro, Zyra e propagandës së LVV po lavdërohet

Deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për “manipulimet me numra”.

Në një status në rrjetin social Facebook, ajo derisa ka thënë se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian po i kushtojnë Kosovës qindra miliona euro, ka shtuar se zyra e propagandës së LVV po lavdërohet se Kosova përfiton 880 milionë euro nga “Plani i Rritjes”, duke nënvizuar se të njëjtit nuk po tregojnë se për të përfituar këto fonde, kusht për Kosovën është zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe i aneksit të Ohrit.

“Derisa masat ndëshkuese të BE-së po i kushtojnë Kosovës qindra miliona euro, Zyra e propagandës së LVV po lavdërohet se Kosova përfiton 880 milionë euro nga “Plani i Rritjes”, ndërsa nuk po tregojnë se për të përfituar nga këto fonde kusht për Kosovën është zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe i ankesit të Ohrit. Manipulimet me numra nuk kanë të ndalur, dje LVV paska dalë me komunikatë se Kosova përfiton 880 milionë Euro”, ka shkruar Bajrami.

Ndërsa, ka përmendur disa fakte, ajo ka shkruar se për të përfituar nga fondi që i afrohet 1 miliardëshit, Kosova duhet ta zbatojë edhe Asociacionin.

“Lë t’i themi disa fakte: Është e vërtetë se Kosova është pjesë e “Planit të Rritjes” (Groëth Plan) që është një fond prej 6 miliardë Euro për Ballkanin Përendimor, për periudhën 2024-2027, prej tyre 2 miliardë Euro janë grante, pjesa tjetër është kredi, por gjithashtu është e vërtetë se Kosova nuk i ka përfitu 880 milionë Euro, Kosova ka potencial të përfitoj këto mjete kur t’i plotëson kushtet që vendosën nga BE. Është e ditur se edhe pse për Kosovën nuk ishte parakusht për tu bërë pjesë e Planit të Rritjes, për të përfituar nga ky fond përpos kritereve teknike Kosova duhet të zbatoj të gjitha detyrimet e dala nga marrëveshja për normalizim dhe ankesi i Ohrit, pra edhe Asociacioni”, ka shkruar Bajrami në rrjetin social Facebook.

Bajrami po ashtu ka paraqitur disa projekte që janë prekur, duke përfshirë grante për bujqësi, projekte për riciklimin e mbeturinave dhe trajtimin e ujit.