Rritja e pensioneve, nga Qeveria thonë se janë 304,016 përfitues

Në një konferencë për media, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, prezantuan vendimin për rritjen e pensioneve. “Sot kam kënaqësinë t’ju jap një lajm të mirë të gjithë pensionistëve. Duke filluar nga ky muaj, pra muaji tetor 2024, do të rrisim për 20%…

Lajme

07/10/2024 15:27

Në një konferencë për media, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, prezantuan vendimin për rritjen e pensioneve.

“Sot kam kënaqësinë t’ju jap një lajm të mirë të gjithë pensionistëve. Duke filluar nga ky muaj, pra muaji tetor 2024, do të rrisim për 20% të gjitha pensionet si vijon: Pensioni Bazik i Moshës; Pensioni Kontributpagues, i Plotë dhe Parcial; Pensioni i Aftësisë së Kufizuar, për Fëmijë dhe për të Rritur; Pensioni për Personat e Verbër; Pensioni për Personat Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë; Pensioni Familjar; Pensioni Invalidor i Punës; Pensioni i Parakohshëm për punëtorët e Trepçës.” u shpreh kryeministri.

Ai shtoi se nga muaji janar i vitit 2025, pra për më pak se 3 muaj, do të rriten për 20% pensionet e përcaktuara me ligjin për kategoritë e luftës, përkatësisht, familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave të dhunës seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjeve të tyre.

“Te këto kategori, për familjet e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të të zhdukurve të UÇK-së, që kanë më shumë se një dëshmor apo të zhdukur, do të ndryshohet edhe formula e pensionit, duke e rritur për 50% të pensionit bazë për çdo dëshmor apo të zhdukur tjetër që ka familja, e jo të rritet me nga 20% apo 10% siç ka qenë deri më tani. E njëjta formulë do të përdoret edhe për familjet e viktimave dhe të zhdukurve civilë, ku për çdo viktimë apo të zhdukur tjetër që ka familja, pensioni do të rritet për 50% të pensionit bazë.” tha kryeministri.

Nga ana e tij, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se ky ndryshim prek një numër prej 304,016 përfitues që do të ndikohen nga kjo rritje, ndërkaq impakti i tërësishëm buxhetor për tërë vitin fiskal parashihet të jetë në shumën prej 100 milionë euro shtesë.