Policia jep detaje nga shpërthimi që ndodhi në Zveçan, u dëmtua pompa e derivateve dhe disa lokale përreth

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mbrëmë pas mesnatës afër pompës së derivateve në qendër të Zveçanit, por për fat të mirë përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar në njerëz. Bëhet fjalë për ish pompën e benzinës NIS petrol, me të cilën tani disponon kompania ‘Lab oil’, ndërsa përveç kësaj pompe, janë dëmtuar edhe…

Lajme

29/09/2024 10:47

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mbrëmë pas mesnatës afër pompës së derivateve në qendër të Zveçanit, por për fat të mirë përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar në njerëz.

Bëhet fjalë për ish pompën e benzinës NIS petrol, me të cilën tani disponon kompania ‘Lab oil’, ndërsa përveç kësaj pompe, janë dëmtuar edhe disa lokale aty afër.

Nebojsha Ristoviq, pronar i njërit lokal, dritaret e të cilit janë thyer nga shpërthimi, tha se serbët në veri nuk janë të lirë.

Ai nuk e din se çka ka ndodhur saktë, sepse tha se nuk ka qenë në atë moment në shtëpi,

“Ne nuk jemi të lirë. Unë nuk kisha folur më shumë… Ka pasur këtu sigurim, nuk kam qenë këtu, për një moment çka ka ndodhur nuk di dhe as nuk mund të supozoj…Çka dhe si mund të dyshoj unë, por dihet këtu kush e mban sigurinë. Këtu është dashur të mbajnë sigurinë Kombet e Bashkuara, por fatkeqësisht sigurinë këtu e mbajnë ata që ju të gjithë e dini”, ka thënë Ristoviq.

Për këtë i pyetur nga Lajmi.net, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut Veton Elshani tha se nga ky shpërthim nuk ka të lënduar.

Derisa tha se ende nuk dihet se çfarë e ka shkaktuar shpërthimin.

“Rreth mesnatës në afërsi të pompës së benzinës e cila është në qendër të Zveqanit ka ndodh një shpërthim. Nga ky shpërthim nu ka të lënduar, ndërsa ka pas dëme materiale në shtëpizën e pompës së benzinës dhe disa vetura në afërsi. Nuk mund të themi ende se qka e ka shkaktu këtë shpërthim, ndërsa njësitet përkatëse kanë dal në vendin e ngjarjes. Në kohën e shpërthimit, pompa e benzinës nuk ka qenë aktive ndërsa rasti cilësohet si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ka thënë Elshani. /Lajmi.net/