Kurti takoi shoqata dhe organizata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, ka takuar mbrëmë shoqata dhe organizata shqiptare që veprojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë bashkëbisedimit me mërgatën, kryeministri Kurti i njoftoi nga afër për të arriturat dhe sukseset e Kosovës, duke theksuar rritjen…

Lajme

29/09/2024 08:18

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, ka takuar mbrëmë shoqata dhe organizata shqiptare që veprojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë bashkëbisedimit me mërgatën, kryeministri Kurti i njoftoi nga afër për të arriturat dhe sukseset e Kosovës, duke theksuar rritjen ekonomike, demokratike e shoqërore. Ai shtoi se vendi ynë me një qeverisje progresiste, ka ngritur platforma që kanë siguruar më shumë vende të reja pune, edhe përmes iniciativave të qeverisë si platforma Superpuna.

Ai përmendi edhe mbështetjen për gratë dhe vajzat, për punësimin dhe rritjen e bizneseve të tyre, duke shtuar rëndësinë e fuqizimit të grave brenda shoqërisë.

“Më tej, kryeministri foli edhe për të arriturat në eksportet dhe investimet, ndërsa potencoi se është rritur buxheti i shtetit dhe është investuar në fushat e sektorët kyç si mbrojtje, arsim, edukim, shëndetësi, bujqësi e teknologji”, thuhet në njoftim.

Tutje theksohet gjithashtu edhe sundimin e ligjit e luftimin e krimit dhe korrupsionit. Shtoi se bazuar edhe në raportet e organizatave ndërkombëtare, dëshmohet se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik e demokratik të shtetit.

Ndërkaq Kurti shprehu mirënjohjen për kontributin dhe rolin e mërgatës sonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë bashkëbisedimit, kryeministri ritheksoi vullnetin dhe gatishmërinë për të punuar krah për krah mërgatës, për progresin dhe zhvillimin tutje të Kosovës. /Lajmi.net/