U raportua për 1.4 për qind inflacion në muajin gusht- Njohësit nuk pajtohen, thonë se sot matësi më i mirë është çmimi i produkteve

Para dy ditësh Eurostat doli me një matje për nivelin e inflacionit në rajonin e Ballkanit për muajin që lamë prapa, muajin gusht. Në bazë të kësaj matjeje, Kosova nuk rezulton të ketë një nivel të lartë inflacioni. 1.4 për qind ishte renditja për Kosovën, si shteti me inflacionin më të ulët ndër vendet e…

Lajme

27/09/2024 19:00

Para dy ditësh Eurostat doli me një matje për nivelin e inflacionit në rajonin e Ballkanit për muajin që lamë prapa, muajin gusht.

Në bazë të kësaj matjeje, Kosova nuk rezulton të ketë një nivel të lartë inflacioni.

1.4 për qind ishte renditja për Kosovën, si shteti me inflacionin më të ulët ndër vendet e rajonit këtë periudhë, duke lënë prapa vendet e tjera.

Shteti më nivelin më të lartë të inflacionit referuar kësaj matjeje del të jetë Serbia, me 4.4 për qind.

Pas Serbisë në vend të dytë është Maqedonia e Veriut 3.1 për qind, më pas Shqipëria 2.4 për qind.

E treta është Mali i Zi 2 për qind e më pas Bosnja e Hercegovina 1.8 për qind.

Fillimisht, çka/kush është Eurostat?

Eurostat është një është zyrë statistikore e Bashkimit Evropian. Misioni i kësaj zyre është të ofrojë statistika dhe të dhëna me cilësi të lartë për Evropën.

E ndonëse Eurostat-in e cilëson si matës kredibil, Selatin Kaçaniku, Kryetar e themelues i shoqatës “Konsumatori“, ka thënë për lajmi.net se statistikat në fjalë mund t’i hyjnë në punë Qeverisë së Kosovës, por që të njëjtat nuk janë bindëse për konsumatorët.

Kaçaniku shprehet se e gëzon fakti se shkalla e inflacionit është e ulët mirëpo sipas tij, përgjigjen më të mirë nëse kjo matje është e saktë ose jo e ka konsumatori, bizneset e ekspertët apolitikë.

“Se shkalla e inflacionit na qenkësh e ulët – më gëzon. Por, a është ose sa është e saktë, sa reale, e vërtetë?! Intervistoni Ju lutem qytetarin konsumator, familjen konsumatorë, biznesin konsumator…edhe ekspertët apolitikë dhe të mirëfilltë të ekonomisë, të financave, të fiskalitetit – për shkallën e inflacionit dhe priteni përgjigjen?“, u tha ai.

Sipas Kaçanikut, logjika e shtetit ishte e mbetet importi.

“Logjika e Shtetit, e Qeverisë së të gjitha legjislaturave ishte e është po ashtu importi sepse mbi to në Buxhetin e Shtetit vjelën më shumë tatime, taksa, akciza. Me importin e produkteve importohet edhe inflacioni. Logjika e qytetarit elektorat është ta votojë partinë ose politikanin e cila / i cili i ofron më shumë mundësi e përfitime personale – e jo të mira e interesa për Shtetin. Do të thotë, në këtë rreth jemi bashkë, ndaj bashkë edhe duhet të kthjellemi dhe të reflektojmë“, shtoi ai.

Pyetur se si është e mundshme një nivel i tillë inflacioni duke i pasur parasysh çmimet tejet të larta me të cilat konsumatori i vendit ballafaqohet çdo ditë, duke filluar edhe nga ata më bazike, Kaçaniku u shpreh se në fakt, çmimet janë edhe më të larta se që duken vizualisht.

“Këtë e kam deklaruar shumë herë më parë dhe njëjtë tani po e përsëris: Çmimet janë shumë më të larta seç duken. Shumë artikuj, për të cilët vizualisht jemi mësuar e bindur se e kanë një peshë, vëllim, standard tani janë deri në 40% më të lehta, më të tkurrura – pra, realisht, më të shtrenjta?! Në çdo çmim kalkulohet edhe afati i skaduar i produktit, ambalazhi, humbjet në keq menaxhim, dëmtimet nga qytetari konsumator dhe në transport, komponentët e minimizuara, teknologjitë më të lira…edhe korrupsioni, edhe “donacionet”, edhe “subvenconet”, edhe klientelizmi, edhe mbi 60% të tepricës së stafit civil të Administratës së Shtetit, në nivel Qendror e Lokal (tepricë e punësuar nga partitë politike në pushtet – për t i rehatuar militantët të cilët po shërbejnë si makinë votuese për secilën parti)”, tha Kaçaniku.

Sipas tij, një gjë e tillë e pengon zhvillimin ekonomik dhe prodhimin vendor.

“Ky “aparat” e pengon zhvillimin ekonomik dhe prodhimin vendor. Logjika aktuale e bizneseve është importi. Sepse mbi artikujt e importit mund të kalkulojnë marzhë fitimi më të lartë”, u shpreh ai ndër të tjera.

Përmirësim në këtë aspekt ai nuk sheh as në vazhdimësi.

“Me këto klasa partish politike kurrë, me popullizma e pa kujdes të mirëfilltë për qytetarin kurrë, pa krijimin e tregut të brendshëm e vendor nuk nuk mund të kemi politika të mirëfillta të çmimeve. Republika e Kosovës akoma nuk ka Strategji të Zhvillimit Ekonomik. Pa SzhE nuk mund të flasim as të veprojmë për asnjë fushë, degë, jo sektor socio-ekonomik. E gjitha deri më sot dhe ato në perspektivë janë veprime “ad hoc“ dhe amatoreske: Tu pa tu ba”, përfundoi ai.

Njohësi i çështjeve ekonomike e njëkohësisht ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se në Kosovë ka një trend të uljes të nivelit të inflacionit, mirëpo i vë në mëdyshje rezultatet e fundit të Eurostat-it të cilat Kosovën e nxjerrin si shtetin me përqindjen më të ulët në rajon.

“Kohëve të fundit në Kosovë po qarkullojnë të dhëna të ndryshme, statistikore dhe grafikone të cilat shumë më shumë po përgatiten në Kosovë dhe po dërgohen në Eurostat. Në këtë drejtim ne nuk e kemi vetëm shkallën e inflacionit por kemi edhe shumë faktorë të tjerë siç është shkalla e papunësisë, shkalla e çmimeve të cilat po variojnë, dhe e vërteta është që jo vetëm në Kosovë, por edhe në Evropë. Në përgjithësi është një trend i uljes apo i rënies dhe kjo po reflektohet edhe në Kosovë”, tha ai në një përgjigje për lajmi.net.

Sipas Gërxhaliut, problemi më i madh i Kosovës është që nuk e ka një ekonomi të zhvilluar, duke shtuar tutje se nuk duhet të kënaqemi me këta numra.

“Nuk duhet të kënaqemi me këta numra. Sot indikatori më i mirë që e mat shkallën e inflacionit është çmimi i produkteve  të cilat janë esenciale për qytetarët dhe në këtë drejtim për kundër faktit që kemi shkallë të ulët të inflacionit, kemi shuma të larta të çmimeve të cilat vërtetë po e dëshmojnë atë teorinë që çmimet ngritën shpejt, por nuk bien kurrë në atë stadin fillestar”, tha tutje ai.

Pyetur nëse pritet në një periudhë të afërt një ulje çmimesh, Gërxhaliu tha se duke pasur parasysh që Kosova është bërë një shtet i varur nga importi, ulja e çmimeve nuk mund të ndodhë.

“Periudha e rënies së çmimeve ka qenë periudha e verës ku kemi pas disa produkte bujqësore të cilat në njëfarë forme kanë ndiku në ofertën dhe kërkesën, dhe ajo pothuajse është kah fundi. Vet fakti që Kosova është shndërruar në një shtet të varur nga importi, do të jetë shumë e vështirë të menaxhohet ulja e çmimeve dhe në fund duhet të kuptohet se çmimet janë shumë më tepër në mëshirë të tregtarëve se sat ë institucioneve . Nuk do të ketë ulje të çmimeve derisa të jemi të varur nga importi e të mos kemi rritje të eksportit, për të përkrahur sektorin privat, në veçanti prodhuesin vendor”, përfundoi ai.

Megjithatë, edhe përkundër faktit që matjet Kosovën e rangojnë me një nivel relativisht të mirë, ankesat e qytetarëve për çmimet e produkteve me të cilin mbushin shportën familjare, vazhdojnë të mbeten jashtëzakonisht shumë prezente./Lajmi.net