Mosaplikimi për anëtarësim në OBSH, ekzekutivi kritikohet nga opozita, MSH pret momentumin e përshtatshëm

Ndonëse është përmendur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, aplikimi i shtetit tonë për anëtarësim në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) nuk u bë asnjëherë. Së fundi, pushteti aktual kishte premtuar se Kosova do të anëtarësohej në OBSH, porse kjo nuk u realizua. Si shkak i kësaj, pacientëve në vendin tonë u mohohen shumë…

Lajme

23/09/2024 12:30

Ndonëse është përmendur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, aplikimi i shtetit tonë për anëtarësim në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) nuk u bë asnjëherë. Së fundi, pushteti aktual kishte premtuar se Kosova do të anëtarësohej në OBSH, porse kjo nuk u realizua.

Si shkak i kësaj, pacientëve në vendin tonë u mohohen shumë të drejta dhe përfitime.

Opozita vlerëson se nuk është bërë asnjë hap nga qeveria Kurti në këtë drejtim. Ndërkaq, institucionet thonë se synim mbetet anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare, derisa shtojnë se po shqyrtojnë mundësitë për aplikim në një moment të përshtatshëm sipas tyre.

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu derisa kriton qeverinë Kurti për dështim në mbajtjen e premtimeve, potencon se anëtarësimi në OBSH do tu sillte shumë përfitime pacinetëve.

Sipas tij, pushteti nuk ka bërë asnjë hap për ta çuar përpara procesin drejt anëtarësimit.

“Përfitimet e Kosovës, të qytetarëve të saj dhe të vetë pacientëve nga anëtarësimi në Organizatën Botërore të Shëndetësisë do të ishin të mëdha, për të përfituar nga fondet e OBSH-së të cilat janë të shumta. Gjithsesi, duhet vendosur në vëmendje që Kosova, tani po bëhen gati një vit e gjysmë që është nën sanksione nga Bashkimi Evropian dhe ka një shpërputhje të madhe të relacioneve të vetë qeverisë së Kosovës me partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët do të duhej të na mbështesnin për anëtarësimin tonë. Pa mbështetjen e miqve dhe partnerëve të Kosovës, është vështirë që të anëtarësohesh në një organizatë kaq të madhe. Sikur të gjitha premtimet tjera të kësaj qeverie, edhe ky premtim është një dështim. Nuk ka as hapa konkret, asnjë gjë që duket në horizont diku anëtarësimi i Kosovës në OBSH. Zero njohje, zero anëtarësime”, thotë Haxhiu.

Po ashtu edhe deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj thotë se ka pasur dështime të mëdha në anëtarësimin e organizatave evropiane. Sipastij është iluzionare të pritet që në këto kushte Kosova të bëhet pjesë e OBSH-së.

Dreshaj tha se anëtarësimi në këtë organizatëka disa beneficione për shtetin tonë, deriaa përmendi furnizimin me barna dhe vaksina.

“Në segmentin ndërkombëtar kemi pasur dështime të mëdha qoftë në promovimin e vendit, qoftë me pranime të reja ose qoftë për anëtarësimin tonë brenda oragnizatave evropiane, sic është organizata evropiane për shëndetësi. Njëkohësisht dështuam edhe në Këshillin e Evropës. Në këto raste, është vërtetë iluzore të pritet që ne të jemi pjesë e OBSH-së, përderisa nuk kemi një pranim brenda për brenda Evropës…Duhet bërë lobime dhe përmirësime të sistemit shëndetësor. Duhet bërë investime në sistemin shëndetësor në atë mënyrë që faktorin ndërkombëtar ta bindim që vërtetë jemi në procesin i cili nënkupton promovimin dhe anëtarësimin e vendit në organizatën botërore. Ka shumë beneficione për shkak se shumë çka derivohet përmes OBSH-së në veçanti për vendet të cilat janë në zhvillime e sipër dhe për vende të pazhvilluara. Është problemi me furnizimin me barna të ndryshme, problemi i furnizmit me vaksina”, potencon Dreshaj.

Ndërkaq, nga Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje me shkrim thonë se bashkë me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kanë analizuar bazën ligjore të OBSh-së dhe mundësinë e aplikimit për të gjetur një momentum të përshtatshëm.

Sipas tyre, synim mbetet anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Republika e Kosovës synon anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, përfshirë dhe OBSh. Ministria e Shëndetësisë, me agjencitë e saj, në radhë të parë me IKShPK-në, ka një qasje gjithëpërfshirëse qeveritare dhe multisektoriale për ndërtimin e infrastrukturës ligjore e kapaciteteve sipas standardeve te OBSh-se, ECDC, CDC e organizmave tjerë ndërkombëtar. Përpjekjet janë që të gjitha këto të jenë në përputhje me standardet e OBSh-së, aty ku është e mundur. Së bashku me MPJD kemi analizuar bazën ligjore të OBSh dhe mundësinë e aplikimit në këtë agjenci të Kombeve të Bashkuara, si dhe rrjedhën e ngjarjeve në këtë organizatë për të gjetur një momentum të përshtatshëm”, thonë nga MSH-ja.

OBSH përbëhet nga 194 shtete anëtare. Edhe pse Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara (OKB), ajo mund të aplikojë në agjencitë e specializuara të Kombeve të Bashkuara, sikurse ndodhi me UNESCO-n në vitin 2015. Në Nenin 3 të Kushtetutës së OBSH-së shkruan se “Anëtarësimi në organizatë do jetë i hapur për të gjitha shtetet.” Ndërkaq, Neni 196 i Kushtetutës së OBSH-së përcakton se “Në varësi të kushteve të çdo marrëveshjeje ndërmjet Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës, të miratuar në përputhje me Kapitullin XVI, Shtetet që nuk bëhen Anëtare në përputhje me Nenet 4 dhe 5 mund të aplikojnë për t’u bërë Anëtare dhe do të pranohen si Anëtare kur kërkesa e tyre të miratohet me shumicë të thjeshtë votash të Asamblesë së Shëndetit.

Pavarësisht se Kosova nuk është anëtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, zyra e saj në Kosovë ka qenë e pranishme që nga viti 1998.