U publikuan pamje teksa rriheshin disa nxënës të shkollës së artit në Pejë, ata thonë se ndodhi jashtë shkollës
Mbrëmë në media është raportuar për një incident i cili ka ndodhur mes disa nxënësve në Pejë. Në një video të publikuar ata shihen derisa sulmojnë njëri tjetrin. Për këtë ka reaguar edhe shkolla e artit “Odhise Paskali” në Pejë të cilët kanë thënë se përveç nxënësve të tyre ka pas edhe nxënës të shkollave…
Lajme
Mbrëmë në media është raportuar për një incident i cili ka ndodhur mes disa nxënësve në Pejë.
Në një video të publikuar ata shihen derisa sulmojnë njëri tjetrin.
Për këtë ka reaguar edhe shkolla e artit “Odhise Paskali” në Pejë të cilët kanë thënë se përveç nxënësve të tyre ka pas edhe nxënës të shkollave të tjera si dhe se rasti ka ndodhur jashtë shkollës.
“Në lidhje me ngjarjen e raportuar në disa portale më datë 18.09.2924, dëshirojmë të sqarojmë se incidenti i përmendur nuk përfshinë vetëm nxënësit e Shkollës së Artit. Sipas informacioneve nga Policia e Kosovës dhe dëshmitarët e rastit, në këtë incident kanë qenë të përfshirë edhe nxënës të tjerë nga shkolla të ndryshme dhe ngjarja ka ndodhur jashtë ambientit shkollor, në rrugë. Urojmë të jetë i fundit dhe mos të përëritet më”, thuhet në reagimin e tyre.
Drejtoria e shkollës “Odhise Paskali” mes të tjerash ka shkruar se nxënësit e tyre njihen për sukseset e tyre ndërsa shkolla ka për qëllim të kultivojë vlerat më të larta të kulturës, respektit dhe bashkëpunimit mes nxënësve, prindërve dhe komunitetit.
“Nxënësit tanë kanë fituar çmime të rëndësishme në konkurse të artit, ekspozita dhe festivale, duke përfaqësuar me dinjitet shkollën tonë dhe qytetin e Pejës.Ne jemi të përkushtuar për të krijuar një mjedis që inkurajon kreativitetin, bashkëpunimin dhe zhvillimin personal të çdo nxënësi. Shkolla jonë ofron mundësi të shumta për zhvillimin artistik, duke përfshirë ateliere të veçanta, punëtori me artistë të njohur, dhe mundësi për të ekspozuar punimet e tyre në galeri të rëndësishme”, thuhet mes tjerash në reagim. /Lajmi.net/