“S’je t’i kërkush me ma ndal bukën e gojës, nuk e toleroj kta” – Dalin detaje të reja për policin e suspenduar, flet edhe pronari i “Arditi Taxi”

Polici Erjon Lekaj është suspenduar nga detyra zyrtare pasi pretendohet se i njëjti ka shqiptuar një gjobë pa të drejtë njërit prej shoferëve të “Arditi Taxi“ në Ferizaj. Çështja ka kaluar deri në konflikt verbal mes palëve ku i përfshirë është edhe pronari i kompanisë në fjalë, Artan Fazliu, me njërin nga punëtorët e të…

Lajme

11/07/2024 21:18

Polici Erjon Lekaj është suspenduar nga detyra zyrtare pasi pretendohet se i njëjti ka shqiptuar një gjobë pa të drejtë njërit prej shoferëve të “Arditi Taxi“ në Ferizaj.

Çështja ka kaluar deri në konflikt verbal mes palëve ku i përfshirë është edhe pronari i kompanisë në fjalë, Artan Fazliu, me njërin nga punëtorët e të cilit pretendohet të ketë pasur „probleme“ polici Leka.

I njëjti përveç suspendimit është kontaktuar përmes Messenger-it me mesazhe kërcënuese e pastaj edhe përmes telefonit nga pronari i kompanisë në fjalë.

Leka ka incizuar bisedën mes tij dhe Fazliut.

E kërcënimet së bashku me fjalorin banal që përdoren nga Fazliu dominojnë një pjesë të madhe të bisedës.

Fazliu pretendon se polici Lekaj ka pasur probleme personale me shoferin e tij.

“Pse si ke marr shoferat e tjerë po bash ata. Ti se ki problemin zyrtar, ti e ki problemin privat. Nuk je kërkushi me m’shit kanun, se frik ja ki nis polic qe 1 muj, dy muj“, është shprehur ai.

Ai madje thotë që Leka s’është askush me ia ndalë siç thotë ai “bukën e gojës’.

“S’je t’i kërkushi me ma ndal bukën e gojës, nuk e toleroj kta. Hala ka pas ma bossa e s’ja u ka qit me mu”, shtoi ai tutje.

Për këtë çështje lajmi.net ka biseduar edhe me Artan Fazliun.

E në bisedën mes gazetares dhe Fazliut, ai përplasjen në fjalë e cilëson si diçka jo fort madhore duke i’u referuar policit Lekaj dhe personin e punësuar tek kompania e tij si “të rinj”.

“Me të thënë të drejtën ai polici i ri, edhe ky djali i ri, kanë pas diçka mosmarrëveshje, por çdo gjë është rregullu”, u shpreh ai.

E për më shumë Fazliu nuk e mbështet gjatë bisedës ndonjërën nga pretendimet me të cilat i është qasur policit Lekaj.

Deri më tani, ajo çka dihet është që rasti gjendet në duart e Inspektoratit të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë. /Lajmi.net/