Mes kritikave dhe akuzave përfundon debati parlamentar për situatën në veri

Pas më shumë se tetë orëve, ka përfunduar debati parlamentar për situatën në veri. Opozita ka hedhur kritika ndaj pushtetit për zhvillimet e fundit në katër komunat veriore. Ata kanë debatuar për sulmet nga protestuesit serbë, sanksionet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e…

Lajme

02/06/2023 20:58

Pas më shumë se tetë orëve, ka përfunduar debati parlamentar për situatën në veri. Opozita ka hedhur kritika ndaj pushtetit për zhvillimet e fundit në katër komunat veriore.

Ata kanë debatuar për sulmet nga protestuesit serbë, sanksionet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

Tash e gjashtë ditë, serbët e Kosovës po protestojnë para objekteve komunale në këto komuna. Ata po kundërshtojnë kryetarët e komunave të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit dhe prezencën e policëve të Kosovës pranë këtyre objekteve.

Të hënën, protestuesit, disa prej tyre me maska, kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave.

Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa kanë anuluar edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria ka refuzuar t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat policore nga ndërtesat komunale.