Zyrtare: Ballkani shpallet kampion në BKT Superligë

Skuadra e Ballkanit është shpallur për herë të parë kampion i BKT Superligë.

Sport

04/05/2022 17:06

E gjitha kjo u arrit pas barazimit që skuadrat rivale për titull, Drita dhe Gjilani, barazuan pa gola në derbin e xhiros së 33-të.

Suharekasit kanë 70 pikë, 11 më shumë sesa Gjilani që është në vendin e dytë, duke ia bërë të pamundur edhe matematikisht kësaj të fundit për t’ia cenuar fronin.

“Portokallezinjve” iu nevojit vetëm edhe një barazim për ta siguruar këtë titull, pa i llogaritur rezultatet e ekipeve të tjera, por që pritja të shkurtohej u përkujdesën dy skuadrat nga Gjilani.

Drejt këtij suksesi madhështor Ballkanin e udhëhoqi trajneri nga Shqipëria, Ilir Daja, i cili e mori skuadrën gjatë sezonit pranveror.

Me vendin e parë tashmë të “blinduar”, garë e ashpër pritet të jetë për vendin e dytë, ku garojnë tri skuadra: Gjilani, Drita dhe Llapi. /Lajmi.net/