“Afera e Hidrocentraleve”, eksperti financiar thotë se katër hidrocentralet nuk kanë qenë të përfshira në procesin e privatizimit
Në gjykimin ndaj katër ish-ministrave në Qeverisë ‘Thaçi 2’, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe të akuzuarve Fllanza Hoxha e Arben Gjuka, ka elaboruar eskpertizn e tij financiare, eksperti Agim Sheqiri.

Lajme
Të lartcekurit po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, me rastin e privatizimit të distribucionit të shpërndarjes së Korporatës Energjetike të Kosovës.
Eksperti financiar Agim Sheqiri ka qëndruar prapa ekspertizës financiare të përpiluar me 9 janar 2019, me urdhëresë të PSRK-së, e cila prokurori e kishte angazhuar për të shqyrtuar dhe analizuar të gjithë dokumentacionin e ofruar nga PSRK-ja në mënyrë që të përgatis një ekspertizë lidhur me procesin e privatizimit të Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji (KKDFE).
Lidhur me procesin e privatizimit ai ka shpjeguar se Qeveria e Kosovës me 17 shtator 2008, ka marrë vendim shthurjen e KEK-ut deri me 31 mars 2018, me përgjegjës Bordin e KEK-ut, e pastaj qeveria me 2 tetor 2008, kishte marrë vendim për privatizimin e aseteve të divizionit të shpërndarjes me energji elektrike dhe për këtë eksperti tha se ka formuar Komitetin Qeveritar për Privatizim (KQP).
KQP-ja sipas ekspertit është përberë nga ministrat e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, Ministrisë së Energjisë dhe minierave, Ministrisë së Punës dhe Transfereve dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
“Kuvendi i Kosovë për këtë çështje ka nxjerrë edhe një rezolutë që të lejohet privatizimi i ndërmarrjes me kusht që të bëhet riorganizimi i kësaj ndërmarrje. Lidhur me këtë çështje Ministria e Ekonomisë dhe Financave ka krijuar njësinë për implementim të këtij projekti, pas krijimit të këtyre organeve është udhëhequr procedura e tenderimit ku fillimisht në fazën para kualifikuese kanë marrë pjesë gjashtë ofertues, ndërsa janë kualifikuar katër ofertues. Në janar 2011 është kryer faza para kualifikuese ndërsa me 12 qershor është shpallur fituesi i kontratës”, ka thënë eksperti, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje eksperti tha se ka angazhuar edhe këshilltarin transaksionit i cili sipas tij, ka pasur për obligim që ta ndihmojë qeverinë në procesin e privatizimit të KKDFE-së.
Ky këshilltar sipas ekspertit ka qenë i obliguar që të bëjë një analizë teknike ligjore dhe financiare dhe se i njëjti në memorandumet e informimit kishte theksuar se katër hidrocentralet: Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikance”, nuk do të përfshihen në procesin e privatizimit.
“Lidhur me privatizimin e Hidrocentraleve, pro privatizimit ka qenë Bordi i KEK-ut. Në dokumentet e tenderimit nuk janë trajtuar Hidrocentralet. Në proces të privatizimit kanë qenë të përfshirë Komiteti Qeveritar i përbërë nga ministrat përkatës i cili komitet përveç tjerash ka pasur rol vendimmarrës lidhur me privatizimin e KKDFE-së”, ka thënë eksperti.
Ai ka thënë se KEK-u ka krijuar një “dataroom”, në të cilën ishin prezantuar informatat e nevojshme lidhur me këtë proces dhe në këtë “dataroom”, sipas tij, nga memorandumet e informimit është theksuar se KEK posedon apo ka në pronësi katër hidrocentralet të cilat nuk janë të nevojshme të privatizohen apo të përfshihen në pakon e privatizimit.
“Në memorandum të informimit janë prezantuar edhe këto hidrocentrale e ky memorandum është futur në “dataroom”, ku nënkupton se kanë mundur të shihen se hidrocentralet nuk do të përfshihen në proces të privatizimit”, ka thënë eksperti.
Ai ka thënë se për shkak të koncesionit, ka qenë e rëndësishme që hidrocentralet të mos përfshihen në procesin e privatizimit.
“Ka qenë e rëndësishme që hidrocentralet të mos përfshihen në procesin e privatizimit për shkak të çështjes së koncesionimit, KEK paralelisht me procesin e privatizimit të KKDFE-së ka iniciuar procedurë dhe koncesion që katër hidrocentralet janë dhënë me koncesion për periudhë 20 vjeçare, njëkohësisht me kontratë dhe qiranë mujore në bazë të marrëveshjes që kanë përcaktuar”, ka thënë eksperti.
Sipas tij, çështja e hidrocentraleve nuk është përfshirë në proces të privatizimit, por përfundimisht nga Komiteti Qeveritar është bartur apo transferuar tek blerësi apo privatizuesi i këtij rrjeti dhe në bazë të marrëveshjeve është paraparë që vlera e kësteve mujore lidhur me qiranë që nga data 8 maj 2013, ëi barten tek kompania e cila ka privatizuar KKDFE-në.
Në proces të privatizimit eksperti tha se është përfshirë edhe linja 110 KW, por sipas tij, pas diskutimeve në nivel të grupeve punuese është marrë vendim që kjo linjë të hiqet nga procesi i privatizimit dhe të mbesin në pronësi të KEK-ut.
Por sipas ekspertit, për shkak se janë konsideruar asete strategjike për institucionet e vendit, bordi i KEK-ut, ka vendosur që këto asete të jenë në pakon e privatizimit.
Eksperti tha thënë se KEK, ka bërë një raport me titull “raporti i analizës së thellë”, në të cilin raport është përshkruar gjendja teknike dhe ligjore e korporatës, por sipas ekspertit, në këtë dokument nuk janë trajtuar fare Hidrocentralet.
“Qeveria e ka angazhuar Bordin e KEK-t që me bo ndarjen e aseteve se cak duhet të hyjë në pakon e privatizimit gjë që nuk ka ndodhur, por ka ndodhur pasi është nënshkruar marrëveshja për privatizim, bordi i KEK ka propozuar që këto të jenë pjesë e privatizimit, por gjatë kohës se privatizimit më tutje nuk janë trajtuar as nga KEK as nga njësia për implementimin e as nga komiteti qeveritar”, ka thënë eksperti.
Për çështjen e katër hidrocentraleve, eksperti tha se ka pasur komunikim përmes emailit në mes të këshilltarit të transaksionit dhe njësisë për implementim, ku është theksuar se katër hidrocentralet të mos përfshihen në pakon e privatizimit.
“Nuk është dikush vendimmarrës me u privatizu apo mos me u privatizu, nuk ka diçka konkrete apo dokumentacion që në mënyrë kategorike e mohon ose pohon që duhet të privatizohen hidrocentralet. Vendimin përfundimtar për me i privatizu e ka marrë Komiteti Qeveritar, i cili ka qenë organ vendimmarrës”, ka thënë eksperti.
Ai ka thënë se vendimi final i ka takuar Komitetit Qeveritar, por sipas tij, njësia për implementim të projektit në bashkëpunim me grupin qeveritar i ka trajtuar dhe diskutuar , ku pas finalizimit apo draftimit të dokumenteve, sipas ekspertit ato janë përcjellë në komitet qeveritar për aprovim apo miratim.
Shthurja e aseteve eksperti ka thënë se ka ndodhur me vonesë, e që sipas tij, është dashur të ndodhë para privatizimit, pasi nuk është ditur se cilat asete i takojnë KKDFE-së.
I pyetur nga prokurori special Atdhe Dema se a i është shkaktuar dëm buxhetit të shtetit, aksionarit apo edhe ndonjë pale tjetër, ai ka thënë se dëm llogaritet qiraja mujore e hidrocentraleve për periudhën e koncensionimit e cila në total arrin 1 milion e 54 mijë euro, pa TVSH, ndërsa si dëm tjetër eksperti ka cilësuar edhe vlerën e investimeve në shumë prej 12,628,166.41 euro.
Seanca e radhës pritet të mbahet me 24 mars 2022, në të cilën seancë pritet të vazhdojë elaborimin e ekspertizës, eksperti financiar.
Shqyrtimi kryesor në këtë rast ka filluar më 1 korrik, gjatë së cilës seancë të akuzuarit janë deklaruar përsëri të pafajshëm për akuzat e PSRK-së.
Në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit kishte njoftuar se e ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, që kishte konfirmuar aktakuzën ndaj të akuzuarve Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, Fllanza Hoxha dhe Arben Gjuka.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, në mars të këtij viti ua kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës, katër ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe të akuzuarve Fllanza Hoxha, Arben Gjuka.
Ndërsa, kjo gjykatë kishte pushuar procedurën penale për shkak të parashkrimit relativ të ndjekjes penale për të akuzuarit Fadil Çitakut, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi, Gani Jashari, Burim Besha, Gelor Shala, Naim Hyseni, Avni Alidemaj, Besnik Haziri, Lorik Fejzullahu, dhe Krenar Bujupi.
19 të akuzuarit për rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”, në shqyrtimin fillestar të mbajtur me 28 tetor 2020, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ishin deklaruar të pafajshëm.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 10 prill 2020, Besim Beqaj po akuzohet se si kryesues i Komitet Qeveritar për Privatizim (KQP) si dhe Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu, si anëtar të KQP-së, me qëllim që të i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që të shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.
Sipas aktakuzës, të njëjtit më 8 maj 2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikance”, të transferohen tek Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji (KKDFE) dhe më pastaj të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”.
Të njëjtën ditë, vazhdon aktakuza, janë nënshkruar marrëveshja për importe, marrëveshja për transferim, marrëveshja për furnizim, marrëveshja për implementim, marrëveshja për borxhe dhe me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve është përmbyll procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të transferohen dhe privatizohen sepse një gjë të tillë e ndalon Ligji për Rregullatorin e Energjisë Elektrike me nr.05/L-04, neni 35, par4.
Sipas PSRK-së, këto asete kanë qenë nën koncesion si dhe rekomandimi i IFC ka qenë që të njëjtat të mbesin në kuadër të KEK-ut, e me këto veprime të njëjtit kanë dëmtuar interesat e KEK-ut dhe të Qeverisë së Kosovës si aksionar, konkretisht, vetëm për qira mujore për periudhën e mbetur, dëmi është 1,054.000.00 euro, sepse e njëjta është dashur t’i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese.
Po ashtu, dëm tjetër sipas PSRK-së është edhe vlera e investuar në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, vlerë e cila nuk është regjistruar dhe prezantuar si vlerë e aseteve para privatizimit, por privatizimi është bërë sipas vlerës së regjistruar në vitin 2003, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Me këto veprime, PSRK i ngarkon këta të akuzuar me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, par 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
PSRK e akuzon edhe Fllanza Hoxhën, se në cilësinë e menaxheres në projektin e privatizimit e autorizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, i ka tejkaluar kompetencat e saj ashtu që edhe pse ka pasur njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen nga KEK tek kompania “Limak-Calik”, gjenden edhe hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike dhe duke qenë në njohuri se të njëjtat nuk duhet të privatizohen, nuk ka vepruar konform detyrave të veta.
Për më tepër, sipas aktakuzës, Hoxha ka dhënë pëlqimin që një veprim i tillë të ndodh, veprim me të cilin ka dëmtuar interesat e KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar ashtu që vetëm si qira mujore vlera dëmit ka qenë 1,054.000.00 euro ndërsa dëm tjetër është edhe vlera e investuar në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, dëm i cili vazhdon edhe më tutje të shkaktohet në mënyrë të përhershme.
Me këtë, Hoxha akuzohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo detyrës zyrtare.
Për keqpërdorim të pozitës zyrtare po akuzohet edhe Arben Gjukaj, i cili sipas PSRK-së, duke vepruar në cilësi të Drejtorit Menaxhues të KEK-ut, edhe pse ka qenë i vetëdijshëm se katër hidrocentrale gjeneruese të energjisë elektrike nuk është dashur të privatizohen sepse ia ndalon baza ligjore, i njëjti as nuk ka ndaluar e as nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që ato asete të ngelin në kuadër të KEK-ut.
PSRK akuzonte edhe Fadil Çitakun se në cilësi të kryesuesit të Bordit të KEK-ut, si dhe Mujë Rugovën, Agim Nikën, Flamur Keqën dhe Izet Ibrahimin në cilësi të anëtarëve të Bordit të KEK-ut, se i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ashtu që edhe pse kanë qenë në njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen janë edhe katër hidrocentrale, që do duhej të mbeteshin në kuadër të KEK-ut, të njëjtit më 15 tetor 2012, kanë miratuar njëzëri që një veprim i tillë të ndodh duke i shkaktuar kështu dëme milionëshe KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar.
Për këtë arsye, të njëjtit akuzoheshin se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Për lejimin e kalimit të katër hidrocentraleve në fjalë nga KEK tek kompania “Limak Calik”, në mënyrën të kundërligjshme sipas PSRK-së, akuzoheshin edhe ish-kryesuesi i Bordit të KKDFE-së, Gani Jashari si dhe anëtarët e Bordit të KKDFE-se, Burim Basha, Gelor Shala, Naim Hyseni dhe Avni Alidemaj.
Të njëjtit, sipas aktakuzës, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare pasi që edhe pse kanë pasur njohuri se hidrocentralet në fjalë është dashur të mbesin edhe më tutje në pronësi të KEK-ut, nuk kanë vepruar konform përgjegjësive të tyre si dhe kanë lejuar që transferimi të ndodh edhe pse e kanë pasur obligim të mbrojnë interesat e kompanisë së sapoformuar.
Prokuroria e akuzonte edhe Besnik Hazirin se në cilësinë e personit zyrtar, koordinator për shthurje të KEK-ut, me qëllim që t’i mundësoj çfarëdo përfitimi pasuror dhe t’i shkaktoj dëm personit tjetër, i ka tejkaluar kompetencat e veta, pasi që nga detyra që ka pasur për finalizim të aseteve dhe inventarit nga KEK në KKDFE, nuk i ka trajtuar hidrocentralet e dhëna me koncesion edhe pse ka pasur njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen nga KEK tek “Limak-Calik”, gjenden edhe katër hidrocentralet në fjalë duke i shkaktuar kështu dëme milionëshe KEK-ut dhe Qeverisës së Kosovë.
Me këtë, Haziri akuzohej se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Për keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar, akuzohej edhe Krenar Bujupi, i cili sipas PSRK-së, si anëtar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike dhe i deleguar në Komitetin Qeveritar të Privatizimit i ka tejkaluar kompetencat e tij duke e pranuar marrëveshjen për transferim të aseteve mes palëve KEK, KKDFE dhe më pas tek “Limak-Calik”, si të ligjshme përkundër faktit se Ligji për ZRRE, neni 35, par4 e ka ndaluar një veprim të tillë.
Kësisoj, me këtë veprim të tij, Bujupi, akuzohej se ka keqpërdor pozitën e tij zyrtare, ashtu që sikurse edhe të akuzuarit tjerë, i kanë shkaktuar dëme që kapin shifrën e milionave, KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar të saj