Allegri: Chiesa ka cilësi të jashtëzakonshme

Massimiliano Allegri justifikon paraqitjen e Federico Chiesa-s kundër Chelseat, por këmbëngul se është i kënaqur me atë që ylli i Italisë po bën këtë sezon.

Sport

26/11/2021 16:55

24-vjeçari ka shënuar tre gola dhe ka dhënë po aq asistime në 15 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon.

Ai shënoi 15 gola, duke shtuar 11 asistime në 46 ndeshje nën drejtimin e Andrea Pirlos sezonin e kaluar dhe luajti një rol kyç në fitoren e Italisë në Euro 2020 në verë.

Chiesa ishte një nga lojtarët më të kritikuar nga mediat italiane pas humbjes 4-0 të Juventusit kundër Chelseat të martën. Ai u vlerësua me 5/10 nga “Il Corriere dello Sport” dhe 4 nga “Gazzetta” dhe “Tuttosport”.

Megjithatë, Allegri e mbrojti 24-vjeçarin gjatë një konference për shtyp sot.

“Ai luajti një lojë të mirë kundër Lazios, kishte disa raste për të shënuar gola.

“Ai mund të jetë shkatërrues në hapësira të hapura. Kundër Chelseat, ishte një histori ndryshe. Niveli ishte i ndryshëm.

“Federico ka cilësi të jashtëzakonshme, ai është vërtet i mirë teknikisht, ai duhet të punojë dhe të përmirësohet si gjithë të tjerët, por unë jam i kënaqur me atë që ai po bën”.

Allegri e ka ndryshuar pjesërisht rolin e Chiesa këtë sezon, duke e përdorur atë si anësor dhe si sulmues mbështetës.

Tekniku italian ka përdorur shpesh një formacion 4-4-2 me Chiesa të vendosur si krahun e djathtë ose të majtë ose mes dy sulmuesve.

Pak javë më parë, Allegri tha se Chiesa mund të bëhej sulmues në të ardhmen, por paraqitjet e ish-anësorit të Fiorentinës nuk kanë qenë plotësisht bindëse këtë sezon. /Lajmi.net/