Klopp për kontratën e re të Salah: Nuk jam i përfshirë në to, fokusohem te ai brenda fushës së lojës
Menaxheri i Liverpoolit, Jurgen Klopp është i fokusuar në formën e Mohamed Salah në fushë dhe jo në negociatat e kontratës së tij.
Sport
Klubi ka rënë dakord për një mori marrëveshjesh të reja me lojtarët këtë vit, por Salah, i cili i ka mbetur edhe pak më pak se dy vjet në kontratën e tij, është ai i cili të ardhmen afatgjate ende nuk e ka bërë të qartë ndonëse palët janë në bisedime të vazhdueshme për rinovimin e kontratës.
Negociatat nuk kanë ndikuar në paraqitjet e tij me klubin, pasi egjiptiani tani ka shënuar në katër nga pesë paraqitjet e tij këtë sezon.
“Nuk ka asgjë për të thënë, veçanërisht nga unë pasi nuk jam i përfshirë”, tha Klopp kur u pyet rreth rinovimin të kontratës me Salah.
“E vetmja gjë që më intereson është se si duket Mo, sa i mprehtë dhe i përkushtuar është ai për momentin, dhe kjo është absolutisht e qartë.
“Ai duket vërtet mirë. Nuk ka asgjë tjetër për të thënë”, u shpreh gjermani.
Sulmuesi Roberto Firmino do të mungojë sërish për vizitën e së shtunës në Crystal Palace me një dëmtim të kyçit të këmbës.
“Ai nuk është gati”, tha Klopp.
“Bobby nuk do të fillojë stërvitjen me ekipin deri në një kohë javën tjetër. Atëherë do të duhet të presim dhe të shohim.”
Klopp rrotulloi skuadrën e tij për fitoren e Ligës së Kampionëve kundër Milanit, me Virgil van Dijk, Thiago dhe Sadio Mane që u ulën në stol, dhe shefi i Liverpoolit do të bëjë ndryshime të mëtejshme kur të përballet me Palace – ndeshja e tyre e tretë në shtatë ditë.
“Tre ndeshje në javë janë normale, por e dielë-e mërkurë-e shtunë është e vështirë”, përfundoi Klopp. /Lajmi.net