Ramos: Në fund pranova ofertën e Realit, por klubi më informoi se nuk qëndronte më

Sergio Ramos është larguar nga Real Madridi pas 16 vitesh në klub.

Sport

17/06/2021 14:31

Ramos në një konferencë për shtypin bashkë me presidentin Fiorentino Perez ka bërë të ditur lajmin që ai nuk do ta vazhdojë më kontratën me “Los Blancos” dhe do të largohet nga klubi, atëherë kur kontrata e tij skadon, saktësisht me 30 qershor, shkruan lajmi.net.

Mirëpo, ndërmjet polemikave të shumta për këtë vendim, ai ka treguar një detaj interesant.

Ramos deklaroi se paraja nuk ishte problem në marrjen e këtij vendimi sepse ai kishte pranuar ulje page, por kohëzgjatja e kontratës ishte i vetmi problem, të cilin në fund e pranoi, por klubi e kishte tërhequr ofertën e tyre.

“Zgjedhja ime e parë ishte të qëndroja. Kam marrë një ofertë për zgjatje të kontratës me kohë një vjeçare me një ulje page”, tha ai.

“Paratë nuk ishin problemi në këtë rast, por unë doja një kontratë dy vjeçare për veten dhe familjen time”, tha Ramos.

“Më në fund e pranova ofertën një vjeçare, por klubi më informoi se oferta nuk ishte më në tavolinë”, përfundoi Sergio Ramos./Lajmi.net/