Koeman shpjegoi ndryshimet në formacion që i sollën fitoren ndaj Juventusit

Barcelona la pas humbjen nga Real Madrd në ‘El Clasico’ 3:1 dhe me një paraqitje të shkëlqyeshme në Torino mundi Juventusin 2:0 në ndeshjen e xhiros së dytë të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve.

Sport

29/10/2020 08:21

Ousmane Dembele i dha Barcelonës një avantazh të hershëm, ndërsa Lionel Messi konfirmoi fitoren duke shënuar nga penalltia në minutën e 90’.

“Ne luajtëm një lojë të shkëlqyeshme kundër një ekipi shumë të fortë evropian. Ne krijuam shumë mundësi, unë jam i kënaqur me stilin e lojës dhe karakterin që treguam. Kjo ishte performanca jonë më e mirë e sezonit, sigurisht më e kompletuara”, tha Koeman pas ndeshjes, përcjell lajmi.net.

Koeman në këtë ndeshje bëri disa ndryshime në formacion për dallim nga ndeshja me Real Madrid. Griezmann u rikthye në formacionin titullar, De Jongut iu dha një rol më mbrojtës dhe të riut Pedri iu dha avantazhi ndaj Fati, i cili hyri më vonë nga stoli. Të gjitha këto vendime u treguan të qëlluara.

“Ne kontrolluam mesfushën dhe Griezmannit i mungonte fati, por ai luajti mirë. Kishim vështirësi në mbrojtje, por unë e dija që De Jong mund të luante i tërhequr. Ai tashmë ka luajtur këtë pozicion me Holandën, dhe sot ai u përgjigj mirë. Gjëja më e rëndësishme është se punuam si ekip dhe Pedri ishte mbresëlënës me karakterin që tregoi në këtë situatë, duke pasur parasysh moshën e tij 17 vjeçare. Fitorja kundër një ekipi të fortë si Juventus sigurisht që do të na ndihmojë të vazhdojmë sezonin”./Lajmi.net/