Zyra e Hotit mohon se iu kërkuan komente nga Specialja, në Hagë thonë ndryshe
2 nëntori është afati i fundit kur palët nga të cilat janë kërkuar opinione dhe komente për amandamentin e propozuar nga presidenti Thaçi, mund t’i dorëzojnë ato në dhomat e Kushtetueses që janë në kuadër të Speciales. Në dokumentet që kishte parë lajmi.net, komente ishin kërkuar edhe nga kryeministri Hoti. Sidoqoftë, zyra e këtij të fundit po thotë ndryshe.

Lajme
Kushtetuesja në kuadër të Dhomave të Specializuara të Speciales në Hagë, e ka shtyer deri më 2 nëntor afatin deri kur palët mund të dorëzojnë komente në lidhje me amandamentin e propozuar për mandatin e Speciales, shkruan lajmi.net.
Komentet deri më tani janë dorëzuar nga Presidenca, Prokuroria e Specializuar dhe Ombudspersoni i Gjykatës Speciales. Një gjë të tillë nuk e kanë bërë ende BE-ja, shefi i misionit të EULEX-it si dhe zyra e kryeministrit Hoti.
E nga kjo e fundit, po e mohojnë se kanë marrë ndonjë kërkesë për opinione apo komente në lidhje me amandamentin në fjalë.
Ata në një përgjigje për lajmi.net, kanë thënë se zyra ligjore e kryeministrit ende s’ka pranuar kërkesë për këtë çështje.
“Zyra Ligjore e ZKM-së, nuk ka pranuar ndonjë kërkesë për opinion apo komente lidhur me çështjen e ngritur nga ana e gazetarëve”, kanë thënë nga zyra e kryeministrit në një përgjigje zyrtare për lajmi.net.
Mirëpo kështu nuk thuhet në dokumentet e lëshuara nga Specialja.
Para pak ditësh, Kushtetuesja e Dhomave të Specializuara, në dokumentet që kishte parë lajmi.net, kishte saktësuar se edhe kryeministri i Republikës së Kosovës duhet të jap komente për çështjen në fjalë.
Afati për dorëzimin e komenteve ishte 19 tetori, mirëpo që me kërkesë të shefit të misionit të EULEX-it, ishte shtyrë për 2 nëntor.
Ndërkaq, presidenca kishte thënë se propozimi ishte bërë për të evituar çdo paqartësi për mandatin e kësaj gjykate.
Lexo edhe:
Ditëve në vijim ndërkaq pritet të shihet se cilat do të jenë komentet e dorëzuara nga Joseph Borrell, shef i politikës së Jashtme të BE-së si dhe nga shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë. /Lajmi.net/