Detaje të reja nga vrasja në Gjakovë: Të plagosurit janë djali dhe guraja e viktimës

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm ka ndodhur një vrasje dhe janë plagosur dy të tjerë në fshatin Bardhaniq të Gjakovës.

Lajme

07/07/2020 10:51

Në ora 03:00 të mëngjesit të sotëm në fshatin Bardhaniq të Gjakovës ka ndodhur një ngjarje e rëndë me ç’rast është vrarë një person dhe janë plagosur dy të tjerë.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, drejtori i Policisë Rajonale të Gjakovës, Lumni Graishta.

“Rreth orës 03:00 të mëngjesi Stacioni Policor në Gjakovë është njoftuar për një rast të vrasjes në fshatin Bardhaniq. Njësitet policor iu kanë përgjigjur thirrjes dhe bashkë me prokurorin dhe ekipin e Qendrës së Mjekësisë Familjare dhe ekipi e ka konstatuar vdekjen e viktimës. Ndërkohë gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes dhe në bashkëpunim me dëshmitarët e tjerë është arritur që të identifikohet i dyshuari i mundshëm. Të dhënat e tij iu kanë përcjellë të gjitha njësive policore përfshirë edhe pikave kufitare”, ka treguar ai për lajmi.net.

Ai ka thënë se i dyshuari është mik i familjes, shtetas i Shqipërisë dhe se po ashtu ka plagosur edhe djalin dhe gruan e viktimës.

Graishta ka bërë të ditur se djali i viktimës ka marrë plagë të rënda nga thika dhe është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.

“Ndërsa i dyshuari është mik, familjar i viktimës, është shtetas i Republikës së Shqipërisë. Në vendin e ngjarjes përveç viktimës kanë qenë të plagosur edhe gruaja dhe djali i tij. Ndërkohë që djali i viktimës ka qenë në gjendje më të rëndë dhe është transferuar për në QKUK për tretman mëtutjeshëm. Vrasja ka ndodhur me armë të ftohtë, thikë”, tregoi ai për lajmi.net.

Graishta theksoi se falë identifikimit të të dyshuarit në orën 07:00 të mëngjesit Policia e Deçanit ka arritur që ta arrestojë dhe aktualisht është duke u marrë në pyetje edhe rreth motivit të mundshëm të kësaj vrasjeje.

“Të dhënat e tij iu kanë përcjellë të gjitha njësive policore përfshirë edhe pikave kufitare. Ndërsa rreth orës 07:00 të mëngjesit është bërë i mundshëm arrestimi i tij nga Stacioni Policor i Deçanit. Ende nuk dihet motivi i kësaj vrasje. Aktualisht po vazhdon ekzaminimi i vendit të ngjarjes dhe njëkohësisht intervistimi i personit të dyshuar dhe më vonë do të mund të mësojmë rreth motivit të vrasjes”, tregoi ai. /Lajmi.net/