Thaçi dekreton Avdullah Hotin kandidat për kryeministër

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka dekretuar Avdullah Hotin si kandidat për kryeministër.

Lajme

30/04/2020 16:22

Presidenti këtë e ka bërë të ditur me anë të një komunikate për media, shkruan lajmi.net.

“Të nderuar qytetarë. Nga konsultimi që zhvillova me të gjithë liderët e partive parlamentare të cilët përfaqësojnë vullnetin e gati 3/4 të votave. Ata vlerësojnë që Kosova duhet të ketë qeveri të re. Pas letrave drejtuar Isa Mustafës,  sot kam marrë një letër nga ai, përmes së cilës ai konfirmon që mbështet të gjitha kriteret mbizotëruese për krijimin e qeverisë së re, përfshirë edhe krijimin e shumicës së re, shumicë kjo që sot mu dëshmua edhe faktikisht. Në përputhje me këtë letër,  informoi se sapo kam dekretuar zoti Avdullah Hotin”, ka thënë Thaçi.

Presidenti po ashtu tha se liderët e vendiot e kanë obligim që pavarësisht dallimeve politike,  të sigurojnë mirëqenien e shtetit.

“Të gjithë liderët institucionalë, të gjithë udhëheqësit e partive në vend, dhe të gjithë ne si qytetarë e kemi detyrim kushtetues e ligjor, obligim moral e politik të kujdesemi për mirëqenien e shtetit dhe shoqërisë sonë, për stabilitetin dhe fuqizimin e rendit kushtetues. Në Demokraci ndodhin edhe dallime. Dallimet mes nesh janë vecori e një demokracie të pjekur. Dallimet nuk duhet të cënojnë interesat shtetërore të Kosovës.  Shteti jonë ka një përvojë shumë të mirë në krjimin dhe fuqizimin e demokracisë, funksionim ky i vlerësuar lartë nga të gjitha burokracitë përendimore. Ne si liderë të Kosovës vijmë dhe shkojmë nga pushteti, por respekti për Kushtetutën dhe shtetin, për qytetarët, dashuria ndaj shtetit të Kosovës ëshë e përjetshme për të gjithë ne, dhe kështu duhet të mbetet”, tha ai.

Ai tha se është në vullnet  të partive politike që të formohet qeveria e re,  dhe të mos shkohet në zgjedhje.

“Siç edhe e dijmë të gjithë ne, Kosova është duke u përballur me sprovën e koronavirusit e cila na ka bërë të gjithëve bashkë. Në krejt këtë situatë të panatyrshme, legjitimiteti i qeverisë aktuale u sfidua nga mocioni i mosbesimit i votuar në Kuvendin e Kosovës. Ndërkaq, në anën tjetër është obligim imi që si president, në bazë të mandatit tim, dhe legjitimitetit të përpiqem për të siguruar funksionimin e institucioneve qëndrore. Jemi në një situatë kur qeveria aktuale është shkarkuar nga më tepër se 2/3 e deputetëve, dhe plotësisht në përputhshmëri me rendin demokratik. Pavarësisht rrethanave këto veprime politike janë të rregulluara qartë dhe në mënyrë shumë precize me Kushtetutë”, ka thënë presidenti. /Lajmi.net/