Sanksionet e SHBA-së ndaj Kosovës pritet të përshkallëzohen – do të ‘godasin’ tre sektorë

Raportet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës tanimë janë në pikën më të ulët që nga paslufta. Qeveria Kurti po refuzon ta heq taksën sipas kërkesave të SHBA-ve, ndërsa nga administrata amerikane veç se i kanë nisur sanksionet e tyre ndaj Kosovës.

Lajme

17/03/2020 15:32

Kosova sot u përball edhe me një masë të re nga SHBA-të, si rrjedhojë e mosdëgjueshmërisë për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe, shkruan lajmi.net.

“Contour Global” u tërhoq sot nga planet për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, që parashihej të kishte kapacitet prej 500 megavatësh.

Sipas njoftimit të Contour Global, arsye për këtë është se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen. Si arsye ka përmendur edhe ndryshimet politike që kanë ndodhur në Kosovë.

“Projekti Kosova e Re nuk mund të ecë përpara. Situata politike në Kosovë që nga korriku, formimi i një qeverie të udhëhequr nga një kryeministër që e kundërshtoi publikisht projektin dhe mosveprimi i qeverisë e kanë bërë të pamundur që projekti t’i përmbushë detyrimet e kërkuara”, thuhet në një njoftim për media nga Contour Global, duke shtuar se “Siç kemi thënë në të kaluarën, Kosova duhej të ishte projekti ynë i fundit me qymyr. Ne nuk do të zhvillojmë termocentrale qymyri në të ardhmen”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga “Contour Global”.

Lexo po ashtu:

Edhe një sanksion tjetër i SHBA-së ndaj Kosovës, tërhiqet Contour Global

Një situatë e tillë, po shihet si me rrezikshmëri të lartë nga njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani.

Ai për lajmi.net thotë se tërheqjet e SHBA-ve nga projekte ekonomike si dhe paralajmërimet tjera, do të kenë një ndikim të dukshëm në aspektin politik, ekonomik dhe atë të sigurisë në Kosovë.

“Vendimi i sotëm, mirëpo edhe vendimet e tjera do të kenë një ndikim të dukshëm negativ në aspektin ekonomik, politik mirëpo edhe atë të sigurisë në Kosovë”,  thotë fillimisht Ramadani.

Ramadani tutje thotë se masat e SHBA-ve nuk do ta ndalen derisa qeveria e Kosovës të marrë vendim për heqjen e plotë, dhe pa kushte të taksës ndaj mallrave serbe, për t’i hapur në këtë formë rrugë dialogut me Serbinë.

“Masat e SHBA-ve sigurisht që do të vazhdojnë. Ato do ta vazhdojnë dhe përshkallëzohen derisa qeveria e Kosovës të marrë vendim përkitazi me kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me heqjen e taksës dhe hapjes rrugë të dialogut me Serbinë”, thotë Ramadani.

Si rrjedhojë, sipas Ramadanit nuk është e thënë që ndikimi i këtyre masave të vërehet ditët, apo muajt e parë që nga marrja e tyre, por se impakti i vërtetë sipas tij do të vërehet më vonë.

“Ndikimi negativ ekonomik për këto masa nuk është e thënë që të vërehet në ditët e para që pas marrjes së tyre. Pra edhe pas tejkalimit të situatës me koronavirusin, dhe pasi të kalojë një periudhë do ta vërejmë ndikimin real që këto masa do të kenë për Kosovën”, ka thënë në fund Ramadani për lajmi.net.

Vendimi i sotëm i Contour Global në fakt nuk shënon fillimin e sanksioneve të SHBA-ve ndaj Kosovës. Saktësisht para katër ditësh, SHBA-të pezulluan rreth 200 milionë euro investime në Kosovë përmes MCC-së(Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit të Qeverisë”.

Arsyetimi për këtë vendim, ishte kryekëput qëndrimi i qeverisë Kurti për mos-largimin e taksës ndaj mallrave serbe.

Lexo edhe:

SHBA-të edhe zyrtarisht me sanksione mbi Kosovën: Pezullohen 200 milionë investime të MCC-së

Një situatë e tillë, po cilësohet si emergjente nga analisti politik, Blerim Burjani.

Duke folur për lajmi.net, Burjani ka theksuar se tanimë është urgjencë që dikush nga partitë politike apo nga opozita e bashkuar, bashkë me LDK-në të gjejnë një zgjidhje.

“Normalisht se mund të ketë ndikime të mëdha. Është urgjente që dikush nga partitë poltiike apo opozita e bashkuar së bashku me LDK-në të gjejë një zgjidhje, ngase kështu më nuk shkon. Prishja e raporteve politik e ekonomike me perëndimin është çështje urgjente që duhet të merret dikush me këtë qeveri dhe me këtë njeri(kryeministrin Kurti)”, thotë Burjani.

Sipas tij, qeveria është duke bërë kalkulime me krizën, dhe se ndër zgjidhjet më të mira që mund të jetë është që kjo qeveri të bie.

“Pra tash nuk ka shumë rrugë, ose të heqet kjo qeveri ose dëmi do të jetë shumë i madh. Kjo qeveri kalkulon me krizën dhe mendojnë se nuk ka kush të merret me të. Pra duhet urgjentisht që Kuvendi të merret me këtë”, ka thënë në fund Burjani për lajmi.net.

Përveç sanksioneve ekonomike, Kosova kohëve të fundit është përballur me paralajmërime serioze për largimin e trupave amerikane nga Kosova, nëse nuk largohet taksa sipas kërkesave të SHBA-ve.

Një “tweet” i senatorit amerikan, David Perdue, ku thuhet se SHBA-të duhet ta rishqyrtojnë praninë e forcave amerikane në Kosovë, ka gjetur përkrahjen edhe të figurave të tjera me ndikim në SHBA, si dhe e ka hapur seriozisht temën e mundësisë së largimit të ushtarëve amerikanë nga Kosova.

Senatori amerikan bën thirrje për tërheqjen e trupave nga Kosova nëse nuk hiqet taksa

Kjo ishte rikonfirmuar edhe nga postimi pasues i djalit të vogël të presidentit amerikan, Donald Trump, e që bënte thirrje për “rikthimin në shtëpi të 650 trupave amerikane që gjenden në Kosovë”. /Lajmi.net/