Moto GP dhe Formula 1 në kaos – skuadrat me bazë në Itali të izoluara nga Coronavirusi
Moto GP dhe Formula 1 janë duke kaluar në një krizë, si pasojë e Coronavirusit.
Sport
Virusi Covid-19 po përhapet me shpejtësi të madhe në gjithë botën, duke vënë të gjithë në alarm.
Italia është një nga vendet më të prekura, ku tashmë çereku i popullsisë janë në izolim, pikërisht si pasojë e numrit të madh të të prekurve nga ky virus.
Kështu, zona të tëra të vendit janë në izolim. Në këto zona kanë bazën edhe disa nga skuadrat e Moto GP e Formula 1, transmeton lajmi.net.
Modena, ku bazën ka Ferrrari, është në izolim. Gjithashtu, përfshihet edhe Milan, me skuadrën e Pirelli që ka bazën aty.
Skuadra e Yamaha në Moto GP operon në zonën e Lombardisë, një nga zonat më të prekura.
Zonë në telashe është edhe ajo e nëntë herë kampionit Valentino Rossi, Pesaro-Urbino, transmeton lajmi.net.
Interesante, por Bologna aktualisht nuk përfshihet në planet e qeverisë për izolim. Kjo do të thotë se skuadra e Ducati nuk është e afektuar akoma nga Covid-19(Coronavirus).
Lideri i kësaj skuadre, Andrea Dovizioso si dhe piloti tjetër Danilo Petrucci, me bazë në Forli, janë gjithashtu në rregull.
Thuhej se njerëzit me punë të rëndësishme dhe arsye të fortë për t’u larguar do të lejohen, por deri më tani nuk ka ndonjë shenjë.
Deri më tani, Moto GP ka anuluar hapjen e sezonit në Katar, pasi qeveria e atij vendi ka bërë të ditur se të gjithë ata që kanë vizituar vendet e prekura me Coronavirus duhet të shkojnë për 14 ditë në izolim.
Gjithashtu, Grand Prix Thailand që supozohej të zhvillohej në raundin e dytë, është shtyrë për 4 tetor.
Situatë më e mirë nuk qëndron as në garat e Formula 1. Deri më tani, Bahrain ka njoftuar se Grand Prix do të zhvillohet pa praninë e tifozëve.
Kurse, për hapjen e sezonit në Australi, ka gjithashtu disa telashe, që përsëri lidhen me skuadrat italiane.
Qeveria e Australisë ka bërë të ditur se do të ketë kontrolla shtesë për personat që futen në këtë vend nga Italia.
Kështu, telashet rriten për skuadrën e Ferrari. Por, gjithsesi, deri më tani, kur nuk ekziston një rregull strikt për t’i dërguar në izolim personat që udhëtojnë nga Italia, duket se skuadra e Ferrari do të udhëtojë në Melbourne.
Ndër vite, bota e sportit nuk ka qenë në një kaos më të madh sesa nga fillimi i përhapjes së Coronavirusit. /Lajmi.net/