​KQZ-ja akreditoi edhe 602 vëzhgues tjerë për zgjedhjet në Podujevë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve akreditoi në mbledhjen e sotme 602 vëzhgues të cilët do të mund të përcjellin procesin zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës që do të mbahen më 15 mars 2020.

Lajme

06/03/2020 16:14

Në këtë mënyrë numri i deritashëm i vëzhguesve të akredituar për këto zgjedhje shkon në 610.

Vëzhguesit e akredituar, sipas KQZ-së, u përkasin një subjekti politik, disa OJQ-ve vendore dhe një OJQ-je ndërkombëtare.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur ditë më herët për KosovaPress, se afati për aplikim për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike dhe të OJQ-ve është deri më 10 mars, ndërsa afati për vëzhguesit ndërkombëtar dhe mediave është deri më 12 mars.

Po sipas Elezit, vetëm vëzhguesit e akredituar mund të përcjellin procesin zgjedhor në vendvotime në ditën e zgjedhjeve dhe procesin tjetër në Qendrën e Numë rimit dhe Rezultateve.

Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i votuesve në komunën e Podujevës për zgjedhjet e 15 marsit është 86 mijë e 610 apo 1 mijë e 356 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e fundit, ato për Kuvendin e Kosovës që janë mbajtur më 6 tetor 2019. Ndërsa, si votues jashtë vendit kemi të regjistruar suksesshëm gjatë periudhës së aplikimit 227 votues.

Elezi ka bërë të ditur se në komunën e Podujevës janë 45 qendra të votimit me gjithsej 115 vendvotime, derisa janë 4 vendvotime më shumë se në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2019.