Shmangia e krizave të vazhdueshme parlamentare

Sistemi aktual zgjedhor është i dëmshëm për demokracinë parlamentare të vendit. Ndryshimet e Kushtetutës së Kosovës dhe të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, janë të domosdoshme.

Lajme

07/08/2019 16:34

Shkruan: Blerim Shala

Nëse me 22 gusht Kuvendi i Kosovës do të shpërbëhet, atëherë zgjedhjet e reja, të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, do të mbahen ose me 29 shtator, ose me 6 tetor.

Shkurt, ky duket të jetë orari i ngjarjeve kryesore në politikën kosovare që ka të bëjë me zgjedhjen dhe organizimin e pushtetit të ri qendror të Kosovë.

Natyrisht, përllogaritjet dhe kalkulimet e para parazgjedhore (por edhe ato paszgjedhore), kanë nisë qysh në orët e para të mbrëmjes së 19 korrikut, kur Kryeministri Haradinaj dha kumtin për dorëheheqjen e tij nga posti i Kryeministrit. Dhe bisedimet e të gjitha llojeve (në këtë drejtim), do të vazhdojnë, me gjasë, deri pak para mesnatës së afatit të fundit kur duhet të dorëzohen Listat me kandidatët partiak dhe të koalicioneve për deputetët e përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës.

Gjithë këtë situatë, objektivisht, e imponon Sistemi zgjedhor në Kosovë, që është sistem i pastër proporcional  (me pragun zgjedhore prej 5%), që njeh Kosovën si Zonë të vetme zgjedhore, ku Listat e kandidatëve për deputetë janë të hapura, ku secili votues ka mundësi të bëjë përzgjedhjen e pesë kandidatëve të partisë apo të koalicionit.

Qysh prej zgjedhjeve të mbajtura në vitin 2010, janë veneruar qartë të metat e këtij Sistemi zgjedhor, të cilat, kur bëhet fjalë për organizimin e pushtetit qendror, fituan një peshë shtesë me interpretimin që Gjykata Kushtetuese ia pati bërë mënyrës së votimit për Presidentin e Kosovës. Për këtë shkak, nëse na kujtohet, në pranverën e vitin 2011, u patën krijuar dy Komisione të veçanta parlamentare, detyra e të të cilave ishte të përgatitej reforma e Sistemit zgjedhor, dhe mënyra e re e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, përmes votës popullore  (siç ishte asokohe dakordimi i shumicës së partive parlamentare).

Puna u pati kryer, në pranverën e vitit 1992, por në kohën kur duhej të finalizohej i gjithë procesi në Kuvendin e Kosovës, ndodhi një kthesë tjetër politike, dhe qysh prej atëherë, thirrjet ndërkombëtare  (në masë të madhe), për Reformën e Sistemit zgjedhor nuk janë përkrahur esencialisht prej subjekteve tona, por vetëm sa për sy e faqe  (si thuhet).

Natyrisht, në këtë rrethanat e sotme të ‘etheve parazgjedhore’  (të cilat pastaj shndërrohen në ‘zjarrmi elektorale’), është e paimagjinueshme që kushdoqoftë, do t’i thotë dy fjalë të vetme për këtë çështje, adresimi i së cilës është i pashmangshëm nëse duam njëherë e mirë t’i shmangemi këtyre pazarave parazgjedhore dhe kombinimeve të ndryshme pas votimit, siç ka ndodhë pas zgjedhjeve të vitit 2014 dhe atyre të fundit, të qershorit të vitit 2017.

Thjeshtë, Sistemi aktual zgjedhor është harxhuar, është shterrë, është bërë i dëmshëm për shëndetin e demokracisë parlamentare të vendit.

Ndryshimet e Kushtetutës së Kosovës, të Sistemit zgjedhor dhe të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, janë të domosdoshme.

Tek Kushtetuta, gjithsesi duhet të amandamentohet dhe të qartësohet procedura e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, për t’iu shmangur krizave të pashmangshme parlamentare, të cilat i ka instaluar interpretimi i kësaj procedure nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Në anën tjetër, do të ishte me rëndësi të madhe nëse ky amandamentim, midis tjerash do të theksonte qartë që mandatin për ta bërë Qeverinë e re të Kosovës, pas zgjedhjeve parlamentare, e ka ajo parti apo ai koalicion që dëshmon që ka fituar 51 deputetë prej 100 deputetëve që zgjedhen në mënyrë të drejtpërdrejtë  (jashtë atij njëzetëshit të ulëseve të garantuara). Në këtë mënyrë automatikisht do t’i shmangeshim situatave kur një Qeveri e Kosovës ka një shumicë të brishtë parlamentare, e cila funksionon në varëshmëri prej kushtëzimeve nga më të ndryshmet, siç ishte rasti me Qeverinë e fundit të Kosovës.

Te Sistemi zgjedhor, Kosova duhet t’i largohet Listave të hapura  (edhe këtu duhet përgatitur një amandament kushtetues), apo, duhet t’i kthehet Sistemit me Lista të mbyllura, duke e ndarë vendin në katër-pesë zona zgjedhore.

Automatikisht, në këtë mënyrë do të kalohej në Sistem mazhoritar të zgjedhjeve, i cili megjithatë, do të mund të kombinohej me atë proporcional, ashtuqë ta zëmë, 75 deputetë do të zgjedheshin përmes zonave të veçanta, ndërsa 25 deputetë do të seleksionoheshin në bazë të një ndarjeje të pastër proporcinale, duke marrë parasyshë votën e subjektëve në nivel të vendit.

Me këto ndryshime kushtetuese dhe ligjore, do të krijoheshin rrethana shumë të mira për të pasë një pushtet stabil qendror të Kosovës.

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)